zoom

In Zoom

4 vjet pa dorëzuar bilancet në QKB, çfarë po fsheh kompania ajrore Air Albania?

Kompania shqiptaro-turke e fluturimeve ajrore, Air Albania, nuk deklaron bilancet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke shkelur kështu hapur ligjin “Për Regjistrimin e Biznesit”.

Ligji në fjalë e përcakton qartë afatet se kur një biznes duhet të deklarojë pasqyrat financiare.

“Mbështetur në ligjin Nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për Regjistrimin e Biznesit” i ndryshuar, neni 43, pika (a) subjektet që kanë detyrimin të depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, kur mbajtja e tyre është e detyrueshme, detyrohen në çdo rast t’i depozitojnë këto dokumente jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar” – thuhet në ligj.

Por pavarësisht kësaj, “Air Albania” vijon të operojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë, edhe pse askush nuk ka informacion mbi aktivitetin e saj financiar, nëse kompania ka bilance pozitive apo ka falimentuar.

Deklarimi i fundit i bilanceve në Qendrën Kombëtare të Biznesit daton më 30 korrik të vitit 2019. Bilanci i fundit është ai për vitin 2018 me 12,265,000 lekë humbje neto. Për 4 vite të tjera, kompania nuk raporton asnjë të dhënë financiare.

Bilancet e Air Albania ne 2019 ne QKB

Për rastet e tilla ligji “Për Regjistrimin e Biznesit” parashikon penalitete.

“3. Moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme, brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 15 000 lekë.”

Zoom.al iu drejtua Qendrës Kombëtare të Biznesit për të mësuar nëse kishte marrë masa ndaj kompanisë Air Albania, por nuk mori përgjigje. Një tjetër kërkesë e Zoom.al drejtuar kompanisë “Air Albania” mbi arsyet e mosdeklarimit të bilanceve nuk mori gjithashtu përgjigje.

Mosdeklarimi i pasqyrave financiare ngre dyshime mbi aktivitetin e kompanisë. Zoom.al ka raportuar se pas “Air Albania” ka dyshime se fshihet i gjithë aktiviteti që ka të bëjë me përdoriin e avionit charter me emrin “Ismail” nga kryeministri Edi Rama. Po ashtu, media të ndryshme kanë raportuar se mosdeklarimi i bilanceve mund të jetë pjesë e një plani për të fshehur borxhet e mëdha të kompanisë.

Air Albania është një kompani shqiptaro – turke. Kompania Türk Hava Yollari ka 49 % të aksioneve, MDN Investment e të shumëpërfolurit Sinan Idrizi ka 41 % dhe kompania shtetërore ALBCONTROL ka 10 % të aksioneve. Idrizi i kaloi më pas aksionet te bashkëshortja dhe vajza e tij, Najada dhe Rejana Idrizi.

Në mes të vitit 2022 kompania u pezullua në QKB për shkak se nuk kishte deklaruar pronarët përfitues.

Media të ndryshme kanë hedhur dyshime prej kohësh për një skenar falimentimi të qëllimshëm të kompanisë. Nga falimentimi synohet të shmangen detyrime në shuma të mëdha që ka Air Albania e Sinan Idrizit dhe miqve të tij turq.

Në disa raportime thuhet se Sinan Idrizi dhe turqit, që së bashku zotërojnë 90% të aksioneve të Air Albania, kanë 18 milionë euro borxhe në detyrime aeroportuale, kufitare, doganore e mjedisore, të akumuluara në 4 vjet të operimit të Air Albania. Ky borxh dyshohet se është shtuar gjatë vitit të fundit të operimit.

Me falimentimin e kompanisë pritet të fshihen edhe borxhet që ka qeveria shqiptare ndaj “Air Albania”, si aksionere me 10%, për shkak të përdorimit të një prej avionëve të saj nga kryeministri Edi Rama, si charter privat.

Përllogaritet që këto borxhe arrijnë në 5 milionë euro. Në përpjekje për të verifikuar këto të dhëna, Zoom.al i ka kërkuar vazhdimisht informacion Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, për shumat që ka paguar për udhëtimet e kryeministrit Rama me avionin “Ismail”, por nuk ka marrë përgjigje.

Përveç udhëtimeve që përllogaritet të kushtojnë në 15 mijë euro ora, “Ismaili” ka për të kryer pagesa për serviset periodike dhe të paparashikuara që ka kryer në Turqi, Greqi, Turqi e Hungari.

Me mosdeklarimin prej 4 vjetësh të bilanceve autoritetet shqiptare do të duhet të kishin nisur verifikimet për “Air Albania”, për të kuptuar se çfarë po ndodh me kompaninë ku shteti shqiptar është aksioner me 10 %, nëpërmjet ALBCONTROL. Mosveprimi i autoriteteve i shton më tej dyshimet se pas pasqyrave financiare të padeklaruara të Air Albania mund të fshihen afera të mëdha. /Zoom.al