zoom

In Zoom

Çfarë fshihet pas pezullimit të “Air Albania”? Autoritetet turke duhet të nisin investigimin

Çfarë fshihet pas pezullimit të “Air Albania”? Autoritetet turke duhet të nisin investigimin

Qendra Kombëtare e Biznesit e pezulloi aktivitetin e kompanisë ajrore “Air Albania”, për shkak se ajo, 4 vjet pas themelimit, nuk ka deklaruar ende se cilët janë pronarët e saj përfitues.

“Air Albania” u krijua në vitin 2018. Shteti shqiptar ka 10% të aksioneve nëpërmjet “Albcontrol”, kompania “MDN INVESTIMENT”, e krijuar po në 2018 ka 41% të aksioneve kompania turke “TÜRK HAVA YOLLARI A.O.” ka 49%.

Pas “MDN INVESTIMENT” fshihet Sinan Idrizi. Biznesmeni me lidhje të dyshimta me Edi Ramën dhe presidentin turk Erdogan i kaloi aksionet në emër të familjarëve të tij, Najada dhe Rejana Idrizi.

Sinan Idrizi, Edi Rama, Taipp Reccep Erdogan

Sipas këtyre të dhënave në QKB, pronarët janë të identifikuar. Por përse pronarët përfitues nuk janë deklaruar ende, siç kërkon ligji? Çfarë fshihet pas kësaj manovre?

Zoom.al po investigon prej kohësh lidhjet e “Air Albania” me avionin që përdor Edi Rama, me emrin “Ismaili”. Marrëdhënia kontraktuale mes “Air Albania” dhe Kryeministrisë apo Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare nuk është bërë asnjëherë publike. Shpenzimet e këtij avioni, që sipas përllogaritjeve të ekspertëve janë afro 15 mijë euro për 1 orë fluturim, mbahen sekret.

A është çështja “Ismaili” pas vendimit të kompanisë për të mos deklaruar pronarët përfitues?

Ndërsa disa media të pakta në Shqipëri po kryejnë investigime mbi këtë çështje, institucionet ligjzbatuese, policia e prokuroria, si dhe opozita dhe një pjesë e mirë e mediave tradicionale dhe atyre online, po heshtin.

I pazakontë është qëndrimi i opozitës, e cila as nuk e përmend më avionin e Ramës dhe shpenzimet marramendëse që ai bën, teksa e përdor “Ismailin” si taksi me të cilën u bën xhiro miqve e dashamirësve të tij, si të ishte pronë private.

Rama – Abazovic, udhetim ne Ukraine me “Ismailin”

Teksa në Shqipëri heshtet, autoritetet në Turqi mund të investigojnë se çfarë ndodhi me kompaninë, ku shteti turk vazhdon të ketë thuajse gjysmën e aksioneve. Aktualisht 49.12 % të aksioneve, ndërsa 50.88 janë aksione të shpërndara në kompani private.

Prej vitit 2008 kjo kompani, e njohur si “Turkish Airlines” është pjesë e grupimit “Star Alliance” në të cilën bëjnë pjesë kompanitë më të mëdha europiane, si Lufthansa, Austrian Airlines, Swiss Air etj dhe disa kompani të tjera botërore, për një total prej 26 anëtarësh.

Si kompani me aksione shtetërore, si pjesë e një aleance globale dhe si pronare me 49 % e “Air Albania”, Turkish Airlines ka detyrimin për të nisur hetime dhe për të zbuluar se përse në Shqipëri nuk janë deklaruar se cilët janë pronarët përfitues.

Kompania i ka vijuar fluturimet edhe pas pezullimit të aktivitetit të saj në QKB. Por sa janë gjasat që ajo të falimentojë?

Revista Bloomberg njoftoi një ditë më parë (lexo këtu shkrimin në Zoom.al) se dy kompani shqiptare të fluturimeve ajrore ishin në prag të falimentimit. A është “Air Albania” njëra prej tyre?

Zoom.al do ta ndjekë këtë çështje pranë autoriteteve shqiptare dhe pranë kompanisë turke në përpjekje për t’i dhënë përgjigjje kësaj pyetjeje dhe shumë të tjerave që ngrihen mbi aktivitetin e “Air Albania” dhe marrëdhëniet e saj me qeverinë shqiptare në lidhje me avionin që përdor kryeministri shqiptar. /Zoom.al

Postime të lidhura