zoom

In Zoom

Rama me avionin qeveritar në Ukrainë, tani merr xhiro edhe “shokët” e rajonit

Rama me avionin qeveritar në Ukrainë, tani merr xhiro edhe “shokët” e rajonit

Kryeministri Edi Rama, ashtu siç ishte bërë e ditur një ditë më parë, u nis këtë të martë për një vizitë në Kiev, ku do të takojë ditën e nesërme presidentin ukrainas, Volodymir Zelensky.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe dy foto nga moment i largimit nga aeroporti i Rinasit.

Por pa dashje Rama me fotot e publikuara ka zbuluar se edhe drejt Varshavës, e cila do jetë një pikë tranziti për udhetimin e tij më pas me tren drejt Kievit, ka zgjedhur sërish të fluturojë me avionin e tij qeveritar “Ismail”, që e përdor si taksi private, por me kosto që paguhen nga shteti, pavarësisht kosotove të larta të operimit që kërkon një udhëtim i tillë.

Ndryshe nga udhëtimet e mëparshme ku shpesh merr familjarë e miq të tij, kësaj here ai ka zgjedhur të marrë me vete në avionin e tij edhe një “shok” të ri nga rajoni. Bëhet fjalë për kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Ky i fundit, ashtu si edhe të gjithë kryeministrat apo presidentët e rajonit nuk ka një avion të qeverisë që drejton, ndaj ka pranuar ofertën e Ramës për të udhëtuar me “Ismailin”.

Natyrisht që Rama i ka bërë një nder në këtë rast Abazoviç, por paratë e udhëtimit i paguajnë taksapaguesit shqiptarë.

Zoom.al, referuar agjencive të specializuara, përllogariti një kosto mes 11 dhe 15 mijë eurosh për çdo orë fluturim të avionit TC-ANA, Airbus A319-115. Udhëtimi për në Varsahavë, vend i cili preferohet tashmë për udhëtimet me avion për ata që duan të shkojnë drejt Ukrainës, është mbi 4 orë vajtje-ardhje, çka do të thotë se ai i do i kushtojë buxhetit të shtetit nga 44 deri në 60 mijë euro. Nëse kësaj shifre i shtojmë edhe shpenzimet e fluturimit nga Stambolli, ku qendron avionic, në Tiranë dhe anasjelltas, kostoja e një fluturimi të kryeministrit është shumë  më e lartë.

Një shumë e konsiderueshme kjo për një vend si Shqipëria ku paga mesatare është rreth 400 euro në muaj dhe ku pensioni mesatar nuk i kalon 100 euro.

Aq më shumë që shpenzime të tilla maramëndëse vijnë në një kohë kur, edhe Shqipëria, ashtu si edhe shumë vende të tjera anemban botës, po përballet me një nga krizat më të mëdha të çmimeve të dekadave të fundit.

Media sociale kanë publikuar ditët e fundit një faturë prej 3.3 milionë euro që shteti shqiptar u ka aeroporteve dhe kompanive të mirëmbajtjes për fluturimet që ka bërë kryeministri Edi Rama nëpër botë.

Sipas këtyre mediave detyrimi 3.3 milionë Euro është vetëm për periudhën nëntor 2018- dhjetor 2021 dhe përfshinë taksat e kalimit në hapësirat ajrore të shteteve përkatës, tarifa e uljes dhe parkimit, shërbimet kargo, kontrollet teknike rutinë, shërbime ndaj kryeministrit Rama, ministrave, drejtorëve e gazetarëve që ka marrë me vete, si dhe furnizimi me karburant në aeroportet tranzite e destinacionet fundore. Kryeministria nuk i ka bërë asnjëherë publike faturat. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, që i paguan ato, ka refuzuar kërkesat e mediave dhe të opozitës për transparencë./ Zoom.al

Postime të lidhura