zoom

Aktualitet

Miku i Edi Ramës fiton kontrollin mbi automjetet ushtarake, kompania në duart e biznesmenit izraelit

Miku i Edi Ramës fiton kontrollin mbi automjetet ushtarake, kompania në duart e biznesmenit izraelit

Një transaksion i pazakontë biznesi ka ngjallur dyshime mbi lidhjet mes qeverisë dhe sipërmarrjes private.

Më 17 qershor, kompania Timak, pronarja e së cilës ishte Arjeta Puca, e njohur për prodhimin dhe përshtatjen e automjeteve, shiti 49% të aksioneve të saj për vetëm 490 euro tek biznesmeni izraelit Ron Yeffet, i pajisur edhe me shtetësi shqiptare, sipas Kapital.

Vetëm dy muaj më vonë, më 4 gusht, Timak krijoi një kompani të re me ndërmarrjen shtetërore Kayo, të quajtur Timak Defence, e cila pritet të ketë monopolin e furnizimit të ushtrisë, policisë dhe emergjencave civile me automjete të posaçme.

Aktiviteti i ri do të zhvillohet në ish-uzinën e pjesëve të këmbimit në Shkozë, një hapësirë e sekuestruar pak ditë më parë nga media News24 që e përdorte.

Pesë ditë pasi Ardi Veliu dhe përfaqësuesit e Timak formuan kompaninë e përbashkët, sinjali i News24 u ndërpre për shkak të uzurpimit të godinës nga forcat e policisë.

Ron Yeffet nuk është i panjohur në Shqipëri. Ai ka tentuar më parë të përfshihet në projekte strategjike si Air Albania dhe madje është përmendur nga ish-ministri Arben Ahmetaj si person të cilit Rama i kishte propozuar privatizimin e borxhit publik. Po ashtu, sipas burimeve, ai ka tentuar edhe marrjen e truallit të ambasadës shqiptare në SHBA për zhvillime ndërtimore.

Mediat e kanë cilësuar Yeffetin si një mik të afërt të kryeministrit Rama, ndërsa përvoja e tij në vende si Senegali tregon një model të ngjashëm: përfitime nga lidhjet me pushtetin dhe projekte që shpesh ngelen të papërfunduara. Rama dhe Yeffet, sipas zërave të pakonfirmuar, janë takuar disa herë, duke përmendur edhe një takim në sallën VIP të aeroportit Rinas.

Ndryshe nga Senegali, ku biznesmenit izraelit iu dhuruan 10 mijë metër tokë shtetërore në bregdetin e Dakarit për të ndërtuar aty një marinë dhe kulla rezidenciale, por projekti nuk shkoi asnjëherë në fund, në Shqipëri Yeffet duket se ka gjetur terren më të sigurt. Me hyrjen e tij në Timak dhe krijimin e Timak Defence, biznesmeni izraelit është bërë pjesë e një tregu që vlen dhjetëra milionë euro në vit, duke ngritur debate mbi transparencën dhe vlerën reale të shtuar që ofrohet./ Zoom.al

Postime të lidhura