zoom

Aktualitet

Miku i fshehtë izraelit i Edi Ramës nis të marrë tendera edhe nëpër bashki

Miku i fshehtë izraelit i Edi Ramës nis të marrë tendera edhe nëpër bashki

Një procedurë prokurimi në Bashkinë e Lezhës ka rihapur debatin mbi mënyrën se si fondet publike po shpërndahen dhe mbi rolin që lidhjet politike duket se luajnë në fitimin e kontratave.

Bëhet fjalë për një tender me vlerë mbi 410 mijë euro për blerjen e mjeteve teknologjike të pastrimit, i cili është fituar nga kompania TIMAK, një subjekt që prej vitesh lidhet në mënyrë indirekte me qeverinë qendrore dhe rrethin e kryeministrit Edi Rama, pasi pronari i saj, Ron Yeffet konsiderohet një prej miqve më të ngushtë të Ramës edhe pse nuk janë shfaqur asnjëherë në publik së bashku.

Në krye të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i konsideruar një nga kryebashkiakët më të afërt me linjën e mazhorancës, ka miratuar procedurën që përfundoi në favor të kësaj kompanie. TIMAK ka si aksioner biznesmenin izraelit Ron Yeffet, një emër që në media është përmendur shpesh si “mik i Ramës” dhe që prej disa vitesh shfaqet i pranishëm në projekte dhe kontrata të lidhura me shtetin shqiptar.

Sipas dokumenteve të procedurës, në tender morën pjesë tre operatorë ekonomikë. Dy prej tyre paraqitën oferta të përafërta financiare, ndërsa një kompani nuk paraqiti fare ofertë. Subjekti “ALBANIA MOTOR COMPANY” u skualifikua, ndërsa argumentet e përdorura për përjashtimin e tij konsiderohen nga kritikët si të dobëta dhe jo bindëse. Në fund, TIMAK u shpall fituese me një ofertë rreth 40.9 milionë lekë.

Ky rast ka ushqyer dyshimet se konkurrenca reale ka qenë e kufizuar dhe se procedura mund të ketë shërbyer më shumë për të justifikuar një vendim të marrë paraprakisht, sesa për të zgjedhur ofertën më të favorshme për interesin publik.

TIMAK u promovua fillimisht si një histori suksesi, si prodhuesi i parë i automjeteve “Made in Albania”. Megjithatë, profili i kompanisë ndryshoi ndjeshëm kur ajo u përfshi në projekte të ndjeshme me shtetin, përfshirë edhe sektorin e makinerive ushtarake. Pikërisht në këtë periudhë, struktura e pronësisë ndryshoi, me Ron Yeffet-in që mori 49% të aksioneve të kompanisë.

Që nga ajo kohë, kompania ka fituar një sërë tenderësh publikë në institucione të ndryshme, çka ka shtuar perceptimin se lidhjet politike dhe personale po kthehen në avantazh konkurrues. Rasti i Lezhës shihet si një hallkë tjetër në këtë zinxhir.

Çështja e këtij tenderi përforcon idenë se persona të afërt me qeverinë po shtrihen gradualisht në nivel kombëtar dhe lokal, duke përfituar nga kontrata publike në sektorë të ndryshëm./ Zoom.al

Postime të lidhura