zoom

Lajme

Asnjë fjalë në Izrael për 80 mijë palestinezët e pafajshëm të vrarë në Gaza, a duhet ta votojnë më myslimanët Edi Ramën?

Asnjë fjalë në Izrael për 80 mijë palestinezët e pafajshëm të vrarë në Gaza, a duhet ta votojnë më myslimanët Edi Ramën?

Vizita në Izrael, fjalimi në Knesset dhe konferenca për shtyp me Benjamin Netanyahun erdhën në momentin e duhur për Edi Ramën. Përballë protestës së opozitës dhe narrativës së saj se Rama e ka humbur mbështetjen ndërkombëtare, nderi që iu bë në Jeruzalem sikur e ka shfryrë mbarsjen se ai është i padëshiruar në kancelaritë e rëndësishme të botës. 

Por qëndrimi që mbajti në Izrael e ka futur Edi Ramën në një telash tjetër. Në rrjetet sociale shpërthyen komentet negative për shkak se ai nuk tha asnjë fjalë të vetme për afro 80 mijë palestinezët e pafajshëm, shumica gra e fëmijë, që u vranë nga ushtria izraelite në gjuetinë e saj kundër terroristëve të Hamas-it, në një konflikt që kaloi çdo kufi humanizmi. 

Sigurisht që askush nuk priste që ai të “plaste bombën” në shtëpinë e mysafirit. Por me fjalimin e tij ai irritoi mijëra besimtarë myslimanë në Shqipëri, që prej tetorit të vitit 2023 kanë treguar një ndjeshmëri të skajshme ndaj masakrave të ushtrisë izraelite mbi civilët palestinezë. 

Shqipëria nuk është superfuqi dhe pesha e saj në arenën ndërkombëtare është e papërfillshme. Por ajo ka pasur gjithnjë si armë të fortë zërin moral të një vendi të vogël, që të paktën fjalën nuk e kursen kundër padrejtësisë. 

Nga hebrenjtë e shpëtuar gjatë Holokaustit, te qëndrimet historike në mbështetje të popujve të shtypur, Shqipëria ka ditur të qëndrojë në anën e drejtë të historisë, asaj të së vërtetës dhe jo të interesit të udhëheqësit të radhës. 

Por Rama në Tel Aviv u shkëput nga kjo traditë. Mbase ngaqë halli i tij i momentit është vërtet i madh. 

Për myslimanët shqiptarë, shumë prej të cilëve mund të jenë votues të Edi Ramës, kjo çështje është sa fetare, aq edhe njerëzore. Palestina shihet si simbol i padrejtësisë dhe i qëndresës ndaj një shteti që kërkon t’i pushtojë të gjitha territoret e saj. Dhe si e tillë, ajo mbetet plaga e madhe e botës myslimane. 

Edi Rama mund t’i ketë bërë llogaritë saktë në aspektin gjeopolitik dhe në politikën e përfitimit personal, pasi Izraeli është një prej vendeve me lobimin më të fortë në Uashington. Por politika nuk është vetëm kalkulim sa për të kaluar hallin e radhës. Siç ishte historik ftesa për të mbajtur fjalim në Knesset, në histori do të mbetet edhe fakti që Rama nuk tha asgjë për jetët e pafajshme palestineze. 

Myslimanët shqiptarë do ta kenë gjatë në mendje këtë qëndrim të tijin. Kur të hedhin votën në zgjedhje, do të duhet të pyesin veten: sa herë të tjera do t’i gënjejë me ndonjë xhami për t’u marrë votat e do t’i tradhëtojë në çështje të kësaj rëndësie, që s’ka objekt kulti që mund t’i shlyejë? /Zoom.al

Postime të lidhura