zoom

Lajme

Rama krah Netanyahut: Shqipëria pro planit për Gazën

Rama krah Netanyahut: Shqipëria pro planit për Gazën

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi një takim zyrtar me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë disa-ditore në Izrael, i shoqëruar nga një delegacion.

Pas bisedës dypalëshe, dy liderët dolën në një deklaratë për mediat, ku theksuan forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në disa fusha kyçe. Rama nënvizoi se lidhjet mes Shqipërisë dhe Izraelit mbështeten në një histori të gjatë miqësie mes popujve, duke përmendur strehimin dhe mbrojtjen që shqiptarët u kanë ofruar hebrenjve në periudha të vështira historike.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi qëndrimin e vendosur kundër antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje fetare, duke shtuar se Shqipëria refuzon që konfliktet ndërkombëtare të përkthehen në përçarje apo diskriminim brenda vendit.

Rama deklaroi se Shqipëria do të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për paqe, përfshirë planin për Gazën, si dhe do të marrë pjesë në nismat për stabilizimin e zonës. Ai konfirmoi gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit me Izraelin në mbrojtje, siguri, teknologji dhe siguri kibernetike.

Në fjalën e tij, kryeministri shqiptar falënderoi Izraelin për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në përballimin e sulmeve kibernetike, duke e cilësuar partneritetin mes dy vendeve si strategjik.

Po ashtu, u theksua rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, përfshirë iniciativa të reja në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë. Një rol të veçantë, sipas Ramës, po merr edhe turizmi dhe shkëmbimet mes qytetarëve, të ndihmuara nga fluturimet e drejtpërdrejta mes dy vendeve.

“Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët  në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.

Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese.

Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera.

Vizita në Nova Site dje, menjëherë pas mbërritjes, ishte thellësisht trazuese. Megjithatë, pata një ndjenjë lehtësimi moral kundrejt shpirtrave të atij vendi të dhimbshëm, duke e ditur që kurrë nuk i lamë në baltë, qëndruam krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neonazistë të Hamasit, veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme, jo vetëm për izraelitët, por prej një kohe shumë të gjatë, edhe për motrat e vëllezërit tanë palestinezë, të dehumanizuar nga Hamasi deri në pikën e katandisjes në instrumente lufte, kthyer në një infrastrukturë mbrojtjeje prej mishi e gjaku, mish për zjarrin e terrorit. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e barbarive. Shqipëria është e nderuar që bëhet pjesë e Bordit të Paqes, themeluar nga presidenti Trump dhe e shoh këtë ftesë jo vetëm si një njohje, por edhe përgjegjësi morale.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet përfshi planin e paqes për Gazën të presidentit Trump dhe do të luajmë rolin tonë brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës”, tha Rama./ Zoom.al

Postime të lidhura