Aplikacion
Si lidhet ftesa ndaj Ramës në bordin e paqes me interesat dhe përfitimet e Tony Blair dhe Jared Kushner. A po ndërthuren politika e jashtme e Shqipërisë me interesa private të individëve të fuqishëm?
Nga Zoom.al
Kryeministri Edi Rama njoftoi plot entuziazëm një ditë më parë se Presidenti amerikan Donald Trump e ka ftuar për të përfaqësuar Shqipërinë si anëtar në “Bordin e Paqes për Gazën”, një strukturë ndërkombëtare e propozuar nga Trump, që synon të mbikëqyrë fazën e dytë të planit të tij të paqes për Rripin e Gazës pas konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.
Kundështarë dhe kritikë të politikë të Ramës thanë se në bord janë ftuar 100 vende, disa të tjerë thanë se ishin të gjitha vendet anëtare të OKB. U shkruajt nëpër rrjete sociale se Shqipëria do të paguajë 1 miliardë euro si anëtare (mediat ndërkombëtare e njoftuan po ashtu) apo që palestinezët do të vijnë në Shqipëri.
Rama i ka përgënjeshtruar. Por pyetja që duhet të marrë përgjigje, më shumë se piruetat e kundështarëve politikë për të minimizuar ftesën, është kjo: a bëhet fjalë për një ftesë për shkak të rëndësisë politike që ka Shqipëria dhe Edi Rama, apo është një anëtarësi pas së cilës fshihen interesa të mëdha ekonomike të disa individëve të veçantë në kurriz të Shqipërisë?
Çfarë është Bordi i Paqes?
Sipas njoftimeve nga Shtëpia e Bardhë, “Bordi i Paqes” është një strukturë ndërkombëtare që do të drejtojë rindërtimin, stabilizimin dhe administrimin politik të Gazës.
Trump e ka pozicionuar veten si kryetar i këtij bordi dhe ka ftuar një grup personalitetesh të njohur për ta ndihmuar në këtë proces. Megjithatë, detajet mbi rolet konkrete, buxhetin, ndikimin real në vendimmarrje dhe si do të paguhet ky bord janë ende të paqarta dhe shpesh kontradiktore. Ka edhe njoftime që Trump sugjeron kontribute financiare të konsiderueshme për vendet që duan të jenë anëtare të përhershme, deri në 1 miliard dollarë për qëndrim në bord sipas disa raporteve të publikuara në disa nga mediat më të mëdha ndërkombëtare.

Kush janë anëtarët e Bordit të Paqes?
Nga informacionet e deritanishme emrat e përfshirë janë:
Çfarë e lidh Edi Ramën me një bord të tillë?
Duke parë rëndësinë specifike në arenën globale të gjithësecilit nga emrat e mësipërm, pyetja është se çfarë e lidh Shqipërinë dhe Edi Ramën me një strukturë të tillë? Ftesa ka krijuar jo pak turbulli në opinionin publik, saqë janë jo të paktë ata që pyesin nëse Edi Rama ësht vërtet lideri global që ai hiqet apo është ai që njohin shqiptarët, kryeministri i një qeverisje të korruptuar me ministra në burg, zëvendëskryeministra nën hetim dhe në arrati, me kriminelët e futur në parlament e nëpër bashki?
Edi Rama po e shet ftesën si një sukses diplomatik. Por përbërja e bordit na paraqet një trekëndësh marrëdhëniesh dhe intersash të mëdha financiare mes tij dhe dy emrave të tjerë në tryezë, Tony Blair dhe Jared Kushner.

Edi Rama e ka emëruar Tony Blair si këshilltar strategjik të qeverisë, për çështje të tilla si, përpjekjet për anëtarësim në BE dhe reformë të qeverisjes. Rama thotë se ky ka qenë një pozicion si vullnetar dhe pa pagesë.
Por firma ligjore e bashkëshortes së tij, Cherie Blair, Omnia Strategy, ka marrë pagesa nga qeveria shqiptare për shërbime ligjore, me vlerë prej 645 mijë eurosh.
Këto pagesa janë kryer në kohën kur Blair kishte akses politik dhe rol si këshilltar pranë kryeministrit Rama. Edhe pse pa pagesë direkte personale ndaj Tony Blair, ky konfigurim përbën përfitim financiar indirekt përmes rrjetit familjar, një situatë që sipas standardeve perëndimore konsiderohet konflikt interesi.
Jard Kushner është joshur vitet e fundit me dhënien e statusit “investitor strategjik” për projekte të mëdha turistike, si ndërtimi i një resorti luksoz në ishullin e Sazanit. Në thelbin e të gjithë çështjes ka qenë i përfshirë personalisht Edi Rama dhe gazeta të mëdha si New York Times shkruajtën që në gjenezë se një marrëdhënie e tillë do të ketë ndikim në politikën e jashtme të dy vendeve. Projekti parashikohet të arrijë në 2 miliardë euro, me një financim që vjen nga vendet e Gjirit, ku Kushner e Blair kanë qenë të angazhuar zyrtarisht në detyra nga Uashingtoni e Brukseli. Me këto vende, Edi Rama i ka forcuar marrëdhëniet kohët e fundit.

Të marrë së bashku, këto elemente formojnë një model të qartë, sipas të cilit, Rama u ofron Kushner e Blair -it para e pasuri shtetërore në këmbim të fitimit të legjitimitetit ndërkombëtar.
Këto fakte nuk provojnë juridikisht një “blerje” të anëtarësisë së tij në “Bordin e Paqes”, por krijojnë një bazë të fortë dyshimesh për ndikim përmes favoresh personale.
Derisa ujërat të qartësohen, shqiptarët dhe në veçanti opozita që përpiqet të gjejë kleçka gjeopolitike në ftesën e Trump për Ramën, duhet të kuptojnë thelbin e çështjes duke gjetur përgjigje për këto pyetje: A ishte kjo anëtarësi rezultat i një procesi normal diplomatik, apo produkt i një rrjeti interesash politike dhe financiare të trekëndëshit Rama – Blair – Kushner; dhe a përfaqëson kjo anëtarësi interesin e Shqipërisë, apo interesat e disa individëve me ndikim të madh politik dhe financiar? © Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës