Aplikacion
Ftesa për t’iu bashkuar Bordit të Paqes e Presidentit të SHBA, Donald Trump, ka shkaktuar një zhurmë të madhe në Shqipëri. Edhe pse ajo iu është drejtuar afro 100 vendeve të ndryshme të botës, në Tiranë u interpretuar si diçka e një rëndësie dhe të një vlerësimi të veçantë për kryeministrin Edi Rama.
Ftesën së fundi e mori edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndryshe nga sa ndodhi në Tiranë, reagimi i saj qe i përmbajtur dhe pa asnjë përpjekje për vetëlavdërimi. Ajo shkroi vetëm disa fjali, ku theksi vihej tek Kosova dhe tek fakti se ftesa iu drejtua asaj për shkak të funksionit që mban si presidente e Kosovës, jo për ndonjë aftësi të veccantë personale.
Reagimi në Prishtinë tregoi një konstrat të fortë me zhurmën politike në Tiranë. Kryeministri Rama e paraqiti ftesën si vlerësim personal, pasojë e lidershipit të tij. Ai e bëri këtë personalisht dhe po ashtu edhe nëpërmjet një fushate të koordinuar propaganda ku u përfshinë ministra e zyrtarë të tjerë. Madje ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, organizoi një konferencë të posaçme për shtyp!
Deklaratat e Ministres së Jashtme e kristalizuan më së miri narrativën e personalizimit. “Ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtëpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i Bordit të Paqes” – tha plot pathos Spiropali përballë disa gazetarëve, të cilët po e pyesni drejpërdrejt se cili është mendimi i saj për deklaratat e sekretarit të Shtetit Marco Rubio, për lidhje të pushtetit me kartelet e drogës apo të përdorimit të pasurive të Shqipërisë si ishulli i Sazanit për interesa personale politike të kryeministrit Rama. Pyetjet natyrisht mbetën pa përgjigje. Spiropali kishte dalë aty për të folur për “Skënderbeun” e Rilindjes.
LEXO EDHE: https://zoom.al/a-u-ble-anetaresia-e-edi-rames-ne-bordin-e-paqes-se-presidentit-trump/
Në fakt Rama dhe rrethi i tij i ngushtë treguan një etje të madhe për pasur një legjitimitet ndërkombëtar, pas shumë e shumë muajsh ku qeveritë perëndimore janë distancuar nga Tirana ku monitorimi i saj, për shkak korrupsionit, kapjes së shtetit dhe lidhjeve me kartelet e drogës është ndër më rigorozet në histori.
Në shumicën dërrmuese të kryeqyteteve të botës, reagimet për ftesat e Trump për Bordin e Paqes kanë qenë të ftohta, pa pikë entuziazmi, standarde dhe institucionale. Udhëheqësit e kanë falënderuar kreun e Shtëpisë së Bardhë, duke e parë si një mundësi për vendet e tyre, pa e shtjelluar atë si një vlerësim personal të tyre si individë.
Shumë prej tyre as e kanë komentuar. Për shembull, Aleksandër Lukashenko i Bjellorusisë, një dikator nën akuzë për shkelje të të drejtave të njeriut, u mjaftua me një video duke nënshkruar pranimin e ftesës. Ekzaktësisht të njëjtën ftesë me Ramën dhe Lukashekon e mori edhe Kreu i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam. Imagjinoni tani ministren e jashtme të Vjetnamit në një konferencë të posaçme për shtyp duke deklarur se ky ishte një vlerësim për lidershipin e To Lam nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në kontrast, në Shqipëri ftesa amerikane u përdor për të ndërtuar një narrativë atrificiale, sikur marrëdhëniet mes Tiranës dhe Uashingtonit po lulëzojnë sërish, ndonëse realisht ato ndodhen në pikën më të ulët historike. Disa idhatarë të Rilindjes nxituan të postojnë edhe fotot e vjetra të Ramës me Trump në Shtëpinë e Bardhë, si mënyrë ekzaltimi se tani po vjen sërish ajo kohë e artë e lidhjeve Tiranë – Uashington, e cila në të vërtetë nuk ekziston më.
Edi Rama po e personalizon dukshëm këtë çështje ndryshe të gjithë kryeministrat apo presidentët e afro 100 vendeve të tjerë që morën ftesë nga Trump. Ai është i vetëdijshëm se s’ka asgjë personale në këtë histori, sepse atë do ta kishte marrë çdokush tjetër që do të kishte qenë në këtë moment në karrigen e kryeministrit, siç e mori bjellorusi Lukashenko apo komunisti To Lam.
Por edhe pse është i vetëdijshëm për këtë të vërtetë, Rama po e përdor ftesën amerikane, jo për të gënjyer amerikanët apo europianët, të cilët e njohin mirë realitetin shqiptar, por për të mashtruar shqiptarët, duke krijuar iluzionin si ai është ende i pranueshëm në Uashington. /Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari