zoom

Aktualitet

Bloomberg: Vetëm “superfansat” e Trump-it në nënshkrimin e “Bordit të Paqes” në Davos

Bloomberg: Vetëm “superfansat” e Trump-it në nënshkrimin e “Bordit të Paqes” në Davos

“Only Trump Superfans Come for ‘Board of Peace’ Signing in Davos” – Vetëm “superfansat” e Trump-it në nënshkrimin e “Bordit të Paqes” në Davos.

Me këtë titull goditës e përshkrun Bloomberg skenën e ceremonisë së nënshkrimit të të ashtuquajturit “Board of Peace” – Bordi i Paqes, një nismë e promovuar personalisht nga Donald Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos 2026.

Sipas Bloomberg, nuk ishte elita tradicionale globale ajo që mbushi sallën. Nuk ishin liderët që zakonisht flasin për rendin botëror, institucionet multilaterale apo arkitekturën e sigurisë globale. Ishte një grup i kufizuar figurash politike që ndajnë afërsi ideologjike dhe personale me Trump-in – një publik që media amerikane e përkufizon hapur si “superfans”.

Një bord pa peshë institucionale

Bloomberg e lexon “Bordin e Paqes” jo si një mekanizëm real diplomatik, por si një format paralel, jashtë OKB-së dhe jashtë institucioneve ekzistuese, i ndërtuar rreth figurës së Trump-it dhe bindjes së tij se rendi aktual global ka dështuar.

Në këtë kontekst, ceremonia në Davos nuk u perceptua si një moment historik i diplomacisë, por si një demonstrim politik, më shumë simbolik sesa funksional.

Kush ishte dhe kush mungonte

Në listën e pjesëmarrësve, Bloomberg vëren mungesën e shumë liderëve kryesorë perëndimorë. Por për vendet e vogla dhe të mesme, çdo mungesë merr një kuptim më të thellë.

Dhe këtu bie në sy një emër, Edi Rama.

Kryeministri shqiptar, i cili prej vitesh e ka kthyer Davos-in në një nga skenat e tij të preferuara për imazh, takime dhe diplomaci publike, nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e “Bordit të Paqes”. Opozita tha se ai nuk qe ftuar, pasi perëndimi dhe presidenti Trump ishin distancuar prej tij. Por Rama u përgjigj se ai mes Trump dhe vajzës së tij, kishte zgjedhur vajzën, Ivankën, me të cilën ishte në një darkë informale në Vlorë, për të diskutuar për projektet turistike të Sazanit e Zvërnecit. PD i kujtoi se ai ka një avion privat me të cilin mund të kishte udhëtuar sot drejt Davosit. Në kundërpërgjigje kryeministri premtoi se ai do të shkonte ta nënshkruante në Shtëpinë e Bardhë pjesëmarrjen në Bordin e Paqes.

Një Davos i ndarë

Bloomberg e përshkruan Davos 2026 si një forum të ndarë në dy realitete. Njëri, një Davos institucional, ku flitet për rregulla, aleanca dhe stabilitet dhe tjetri një Davos paralel, ku dominon politika e figurës, e planeve personale dhe sfidimit të rendit ekzistues.

Ceremonia e “Bordit të Paqes” i përkiste qartësisht realitetit të dytë. Dhe siç sugjeron vetë Bloomberg, në diplomaci, mungesa nga një skenë flet po aq fort sa prania në të. /Zoom.al

Postime të lidhura