zoom

Lajme

Bardhi: Rama nuk votoi marrëveshjen për Bordin e Paqes

Bardhi: Rama nuk votoi marrëveshjen për Bordin e Paqes

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me votimin në Kuvend për marrëveshjen e Bordit të Paqes, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se nuk e mbështeti këtë nismë me votë.

Në rrjetet sociale, Bardhi tha se Rama e braktisi seancën parlamentare pa dhënë asnjë arsye shtetërore, duke shmangur votimin për një marrëveshje që lidhet me partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Bardhit, kryeministri nuk beson realisht as te marrëveshja dhe as te nismëtari i saj, presidenti amerikan Donald Trump, duke shtuar se ai e përdori diskutimin në Kuvend vetëm për përfitime politike personale. Ai shtoi se largimi i Ramës nga salla kishte për qëllim të mbulonte mungesën e tij në forumin ndërkombëtar të Davosit, të cilën e cilësoi si një dështim të rëndë diplomatik.

Bardhi akuzoi gjithashtu Ramën se e shndërroi çështjen e Bordit të Paqes në një skenë për sulme ndaj opozitës dhe institucioneve të drejtësisë, duke u rreshtuar, sipas tij, në mbrojtje të figurave të caktuara politike dhe jo në rolin e një drejtuesi shteti.

“Kush beson vërtet te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, 🇺🇸 Presidenti Trump, nuk braktis votimin.
Edi Rama e bëri. Ai nuk e votoi marrëveshjen!

Iku nga seanca pa asnjë arsye shtetërore. Sepse Edi Rama jo vetëm që nuk e sheh dot me sy Donald Trump, por i duhej vetëm skena politike për të mbuluar dështimin e tij spektakolar me mungesën në Davos.

Rama e përdori marrëveshjen e Bordit të Paqes si skenë të urrejtjes politike kundër opozitës dhe si moment për të goditur dhe për tu dukur i fortë kundër SPAK-ut. U rreshtua si avokat i Erion Veliajt, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit, por jo si një shtetar i përgjegjshëm.

Ne ia dogjëm skemën perverse antiopozitë Edi Ramës. Ne e votuam me besim marrëveshjen dhe partneritetin me Presidentin e SHBA-së. Ai u zhduk nga Parlamenti pa votuar.

Vullneti i vërtetë politik matet me votë, jo me fjalime patetike! 🇺🇸🤝🇦🇱”, shkruan Bardhi./ Zoom.al

Postime të lidhura