Aplikacion
E përditshmja italiane “Domani” ka publikuar një investigim të gjerë mbi kompaninë shqiptare “Kayo”, e përfshirë së fundmi në marrëveshjen me Fincantieri-n dhe Leonardon për prodhimin e tetë anijeve ushtarake në Pashaliman.
Sipas shkrimit, kompania e krijuar nga qeveria shqiptare në vitin 2024 ka kapital minimal dhe mbështetet kryesisht te lidhjet politike, duke ngritur dyshime serioze mbi aftësinë reale për të marrë përsipër projekte kaq të mëdha.
Investigimi thekson edhe blerjet dhe marrëveshjet e diskutueshme: në prill 2025, Kryeministri Edi Rama organizoi shitjen e 49% të aksioneve të Timak tek sipërmarrësi izraelit Ron Yeffet, një mbështetës i Ramës. Më pas, Timak dhe Kayo krijuan “joint venture”, (një marrëveshje biznesi ku dy ose më shumë kompani bashkëpunojnë për të krijuar një projekt të përbashkët), Timak Defense, për prodhimin e mjeteve ushtarake, duke rritur pikëpyetje mbi transparencën dhe menaxhimin e projekteve.
Më herët, Zoom.al ka raportuar sesi miliona euro kanë vërshuar për disa muaj nga buxheti i shtetit drejt Timak Defence. Pas saj qëndron Ron Yeffet, një izraelit me pasaportë shqiptare, që ka hyrë në sistemet më të ndjeshme të shtetit shqiptar edhe pse është nën hetim jashtë vendit nga agjencitë kundër korrupsionit. Ai konsiderohet mik i kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohl, në fokus të dyshimeve të medias italiane është edhe emërimi i Ardi Veliut, një figurë e afërt me kryeministrin Edi Rama, si administrator të kompanisë.
Domani” ngre gjithashtu pyetje mbi transparencën e marrëveshjes Itali–Shqipëri dhe rrezikun financiar që mund të mbartë ky projekt.
Artikulli i plotë:
Hije mbi Kayo– sh.p.k e njeriut pranë Ramës
Më 13 nëntor 2025, u nënshkrua një marrëveshje midis Fincantieri dhe kompanisë shqiptare Kayo për të prodhuar tetë anije. Por kompania nuk duket e aftë të përballojë këtë sfidë.
Takimi Itali-Shqipëri
Më 13 nëntor, takimi ndërqeveritar Itali-Shqipëri në Romë nuk ishte vetëm një rast për të rinovuar paktin mbi Migracionin dhe Azilin me qeverinë e Tiranës dhe për të diskutuar për qendrat e migrantëve.
Midis shumë “marrëveshjeve të cilësisë” për të cilat presidentja Giorgia Meloni u krenua me të pranishmit, ka edhe një pakt për Mbrojtjen.
Gjatë takimit midis presidentit të Fincantieri, Pierroberto Folgiero, dhe homologut të tij shqiptar, Pirro Vangiu, u diskutua për një marrëveshje për rilançimin e bazës ushtarake shqiptare në Pashaliman, pranë Vlorës.
Në këtë qytet buzë Adriatikut, Leonardo, Fincantieri dhe kompania shqiptare Kayo do të prodhojnë tetë anije 80 metra të gjata dhe 800 ton.
Por a është kompania shqiptare me të vërtetë e aftë të luajë një rol kaq të rëndësishëm?
Çfarë është KAYO?
Kayo u themelua në tetor 2024 nga qeveria shqiptare, me qëllim të rindërtojë sektorin e prodhimit të armëve dhe municioneve, në rënie që nga rënia e komunizmit.
Mori në menaxhim ish-plantet e Mjekës, Gramshit dhe Poliçanit, me synimin për të filluar prodhimin e armëve “made in Albania” brenda vitit 2030.
Projekti mbështetet edhe nga fonde europiane.
Megjithatë, Kayo ka një problem themelor: kapital shumë të ulët.
Klevis Balliu, deputet i Partisë Demokratike (opozita ndaj kryeministrit Edi Rama), e quan “qesharak”.
Financimi i parë nga qeveria Rama ishte 150 milion lek, më pas u rrit në 300 milion lek, që në euro do të thotë një kapital prej 1.5 deri 3 milion euro.
Për shembull, ndryshimi i flamurit të anijes Libra (dhuratë nga Italia për Shqipërinë këtë vit) kushtoi 1.5 milion euro.
Ndërkohë, korvetat, anijet që përputhen me profilin e joint venture-së së re, kushtojnë 300-500 milion euro për prodhim.
Leonardo ka një kapital prej rreth 30 miliard euro, Fincantieri prej 6 miliard euro. Shuma të tjera përdoren për të kundërshtuar sulme ose për të mbuluar humbje që nuk mund të justifikohen nga mosha e re e kompanisë.
Blerjet “e dyshimta”
Menjëherë pas themelimit, Kayo u bë lojtar kyç i Mbrojtjes shqiptare:
• Prill 2025: Rama organizoi shitjen e 49% të aksioneve të Timak tek një mbështetës i tij, Ron Yeffet, një sipërmarrës izraelit.
• Gusht 2025: Timak dhe Kayo krijuan një joint venture, Timak Defense, për prodhimin e mjeteve ushtarake.
• Përveç kësaj, Kayo hyri me 20% në kapitalin e Myslym Keta Defence (MSK) dhe Guna Tactical, kompani në pronësi të një aleati historik të Edi Ramës, prodhuesi i armëve Emiliano Dusha.
“Po flasim për një kompani që, në kohën e shitjes së aksioneve, vlente rreth 35 mijë euro. Në dy muaj, përmes një marrëveshjeje me Kayo, MSK u bë furnizuesi ekskluziv i armëve dhe uniformave të ushtrisë shqiptare, me 400 punonjës. Për ju kjo është normale?” – thotë Balliu.
Ardi Veliu
Administratori i Kayo, Ardi Veliu, është shumë afër Ramës, ish-komandant i policisë i zgjedhur nga kryeministri dhe më pas zv/ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës.
Në 2024 u bë CEO i kompanisë.
Disa hije mbi njerëzit pranë tij: ish-shoferi i tij është hetuar nga prokuroria kundër korrupsionit (SPAK).
Në gusht, policia, mbi të cilën Veliu ka ende ndikim, hyri në ambientet e News24, televizion i opozitës, për ta pastruar dhe kthyer në selinë e re të Kayo. Qeveria tha se duhet të zbrazeshin ambientet dhe kontrata kishte skaduar. Por mungesa e një dekreti formal të shpalljes së ekskluzionit bëri që shumë ta shihnin këtë si veprim të drejtpërdrejtë të Veliut.
Kush paguan?
Administratori i diskutueshëm, kapitali i dobët i kompanisë dhe blerjet e dyshimta lënë shumë dyshime mbi marrëveshjen Italia-Shqipëri.
Termat e marrëveshjes nuk janë bërë publikë.
Sa do të kontribuojnë Leonardo dhe Fincantieri, kompani me pjesëmarrje të fortë publike, në modernizimin e kantierit të Pashaliman?
Dhe mbi të gjitha: çfarë ndodh nëse Kayo ka vështirësi financiare? Ministri Vengu flet për të ardhura prej 8 milion euro, që janë ende të pamjaftueshme për të mos e konsideruar investimin të rrezikuar./ Përgatiti në shqip Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës