zoom

In Zoom

Profil/ Ron Yeffet, miku izraelit i Ramës në afera nga Senegali tek kontratat strategjike në Tiranë që çuan në mbylljen e News 24

Profil/ Ron Yeffet, miku izraelit i Ramës në afera nga Senegali tek kontratat strategjike në Tiranë që çuan në mbylljen e News 24

Një hetim i nisur në Senegal dhe një seri biznesesh të regjistruara në Shqipëri hedhin dritë mbi figurën e biznesmenit izraelit Ron Yeffet, i njohur për lidhjet e tij të afërta me Kryeministrin Edi Rama dhe i përfshirë së fundi në një transaksion të dyshimtë për blerjen e 49 % të një kompanie për prodhimin dhe përshtatjen e automjeteve ushtarake, për vetëm 490 euro.

Ron Yeffet, një biznesmen izraelit dhe ish-konsull nderi i Senegalit në Tel Aviv, është nën hetim nga drejtësia senegaleze për marrëveshje të dyshimta në lidhje me përvetësimin e disa pronave shtetërore. Seneneës.com, një media e besueshme senegaleze, raportoi pak kohë më parë se Yeffet kishte përfituar një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë tokë bregdetare në zonën Plateau të Dakarit, ku planifikonte ndërtimin e një marine dhe disa kullave rezidenciale. Një projekt si ai që parashikohet nga biznesmeni Alabbar në Portin e Durrësit. Por projekti i izraelitit Yeffet nuk u realizua kurrë. Kjo për shkak të ndryshimit të pushtetit në mars 2024 në Senagal. OFNAC, Zyra Kombëtare për Luftën kundër Mashtrimit dhe Korrupsionit, e bëri publik dosjen dhe vendosi rishikimin e kontratës.

Mediat senegaleze raportojnë se Yeffet mund të thirret në Dakar për të dhënë shpjegime, edhe pse ai po përpiqet të mbrohet përmes imunitetit diplomatik të marrë si konsull nderi. 

Emri i Yeffet është përmendur edhe në Shqipëri për çështje që prekin drejpërdrejtë interesin publik. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar publikisht se në vitin 2018 kryeministri Edi Rama i kishte kërkuar atij të ndryshonte ligjin për t’i hapur rrugë një skeme ku borxhi publik shqiptar do t’i shitej biznesmenit izraelit Yeffet. Ahmetaj thotë se e refuzoi këtë propozim, duke e cilësuar si të paligjshëm dhe në dëm të shtetit.

Një tjetër përpjekje e Yeffet-it për të hyrë në projekte strategjike lidhet me kompaninë Air Albania. Media të ndryshme kanë raportuar se ai ka qenë i përfshirë në themelimin e linjës ajrore me flamur shqiptar përmes kompanisë “MDN Investment”. Procedura e ngritjes së Air Albania është kritikuar nga organizata ndërkombëtare Transparancy International për mungesë transparence dhe për privilegjimin e një grupi të ngushtë investitorësh.

Aktualisht, Yeffet rezulton pronar i të paktën tre kompanive të regjistruara në Shqipëri.

Ai zotëron 100 % aksionet e kompanisë “1820 Black Oil”, me aktivitet në fushën e karburanteve, themeluar në dhjetor 2023. 

Po ashtu ai ka themeluar kompaninë “1820 Albania”, me fokus në teknologji dhe shërbime IT.

“UNO18”, një tjetër kompani e themeluar prej tij më 2 shtator 2024, ka aktivitet në tregtinë e avionëve, helikopterëve dhe pjesëve të këmbimit. 

Nga qershori i këtij viti ai zotëron edhe 49 % të kompanisë Timak, siç tregon edhe tabela e mëposhtme e Opencorporates.al 

Transaksion i fundit ka ngjallur dyshime të forta. Më 17 qershor 2024, kompania shqiptare Timak, e specializuar në prodhimin e automjeteve të posaçme, i shiti Yeffet-it 49% të aksioneve për vetëm 490 euro. Dy muaj më vonë, Timak krijoi një kompani të re në bashkëpronësi me ndërmarrjen shtetërore Kayo, të quajtur “Timak Defence”, e cila pritet të ketë monopolin e furnizimit të ushtrisë, policisë dhe emergjencave civile me automjete speciale.

Në shoqërinë e themeluar më 4 gusht, kompania private “Timak” do të ketë 80 % të aksioneve, ndërsa kompania shtetërore “Kayo” do të ketë 20 % të aksioneve.

Aktiviteti i ri do të zhvillohet në ish-uzinën e pjesëve të këmbimit në Shkozë, një objekt i cili deri pak ditë më parë përdorej nga televizioni News24, por që u sekuestrua dhe iu kalua kompanisë së re pavarësisht protestave të gazetarëve. Vetëm pesë ditë pas krijimit të “Timak Defence”, sinjali i News24 u ndërpre ndërsa policia dhe ushtria morën godinën. 

Nga Senegali në Shqipëri, bizneset e Ron Yeffet kanë pothuaj të njëjtin model. Ai shfrytëzon lidhjet me pushtetinpërfituar prona, kontrata shtetërore apo monopole tregu. Në Dakar iu dha tokë bregdetare nga shteti, ndërsa në Tiranë hyri në sektorë strategjikë si aviacioni, energjia dhe furnizimet për mjetet e ushtrisë.

Disa media, përfshirë Zoom.al, publikuan një foto të Ron Yeffet në një aktivitet elektoral të Edi Ramës në Vlorë, në fushtën për zgjedhjet e 11 majit.

Në të tjera raportime mediatike ai lidhet me individë të përfolur për përfitime të tjera qeveritare. Sipas tyre, Ron Yeffet rezulton të jetë ortak me izraelitin Asaf Barazanin, i cili rezulton pronar i “Casino Vlora” dhe dyshohet për lidhje me grupin mafioz “Milton” që operon në fushën e Call Center, të akuzuara për përfitimin e miliona eurove përmes mashtrimit të qytetarëve europianë, kryesisht në Spanjë, të hetuar nga Europol dhe Eurojust. 

Ron Yeffet raportohet të ketë ortakëri edhe me me Sinan Idrizin në kompaninë “Mifol Inert Shpk”, që shtroi pistën e aeroportit të Vlorës.

Miqësia e tij me kryeministrin shqiptar Edi Rama është e kahershme. Në fotot e mëposhtme kryeministri Rama shfaqet në një aktivitet me kryerabinin Yoel Kaplan në përurimin e një “Sefer Torah” të ri, dhuruar nga Ron Yeffet, një nga themeluesit e komunitetit hebraik shqiptar, në nder të babait të tij Isaac Yeffet ZL.

Hetimi në Senegal nuk e pengon Yeffet të bëjë biznes, por kjo do të mjaftonte që Shqipëria të mos e përfshinte atë në kontrata shtetërore, veçanërisht në sektorë strategjikë që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. /Zoom.al

Postime të lidhura