Aplikacion
Miliona euro kanë vërshuar në 3 muaj nga buxheti i shtetit drejt Timak Defence, një kompani e formuar nga shoqëria shtetërore Kayo dhe kompania Timak, pas të cilës qëndron një prej figurave kontroverse që po vepron në Shqipëri, mik i kryeministrit Edi Rama.
Ky është Ron Yeffet, një izraelit me pasaportë shqiptare, që ka hyrë në sistemet më të ndjeshme të shtetit shqiptar edhe pse është nën hetim jashtë vendit nga agjencitë kundër korrupsionit, siç ka raportuar më herët Zoom.al.
Më 29 shtator të këtij viti, Reparti Ushtarak 3001 në Tiranë ka derdhur 6.1 milionë euro në llogarinë e Timak Defence, vetëm 3 ditë pasi Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë vendosi instalimin e sistemit anti-dron, të quajtur C-UAS.
Nuk është parë kurrë ndonjëherë një veprim financiar kaq i shpejtë, ndërsa procedura me të cilën është lidhur kontrata mbahet sekret, sikundër nuk dihet as sesa është vlera totale e saj. Por kjo pagesë nuk është e vetmja.
Ekzaktësisht 1 muaj më vonë, më 29 tetor, qeveria Rama lidhi një tjetër kontratë sekrete me Timak Defence për blerjen e automjeteve taktike ushtarake të transportit të lehtë. 2 ditë më vonë kompania lëshoi një faturë prej 4.4 milionë eurosh dhe më 4 nëntor paratë u paguan, duke e çuar totalin e shumës së derdhur nga buxheti drejt Timak Defence në 10.5 milioën euro.
Po kush është përfituesi i këtyre shumave marramendëse? Timak Defence është themeluar nga shoqëria shtetërore Kayo që drejtohet nga ish -drejtori i Policisë, Ardi Veliu dhe ka 20% të aksioneve dhe Timak, që zotëron 80% të aksioneve. Brenda Timak, Ron Yeffet zotëron 49% të aksioneve, të cilat ia bleu vetëm për 490 euro shtetases Arjeta Puca, e cila deri më 17 qershor të 2025 zotëronte 100 % të kompanisë. Një vlerë e dyshimtë kjo, po aq sa blerja e 47 % të aksioneve të turqve në aeroportin e Vlorës për 4900 euro nga Behgjet Pacolli, pasi në pak muaj kjo kompani siguroi monopolin e furnizimit të ushtrisë, gardës dhe policisë me mjete të ndryshme.
Dhe nga qindarkat e qershorit, në nëntor kjo kompani rezulton të jetë shndërruar milionere dhe me siguri një prej kompanive me rritjen më të shpejtë në Shqipëri. Ndërsa 49% të aksioneve tani do të duhet të vlejnë disa miliona euro, për shkak të pasurimit të kësaj kompanie nga kontratat shtetërore të mbrojtjes.
Rruga është e qartë. Ron Yeffet merr 49% të kompanisë Timak, pastaj shteti bashkëthemelon një kompani të re me këtë kompani private, në fund qeveria i jep asaj monopolin me ligj dhe fillon të derdhë miliona pa prokurim publik.
Por paratë duket se janë vetëm maja e ajsbergut.
Shqetësimi kryesor, jo më vetëm për Shqipërinë, por për Europën dhe NATO-n duket se është Ron Yeffet, një shtetas izraelit me pasaportë shqiptare dhe një personazh që prej vitesh ndodhet nën radarë ndërkombëtarë.
Burime të mirëinformuara në Tiranë dhe Bruksel pohojnë se agjencitë europiane të sigurisë kanë rritur vëmendjen ndaj lëvizjeve të tij, pikërisht për shkak të aktivitetit të tij në sektorin e mbrojtjes dhe të lidhjeve të tij me nivelet më të larta të qeverisë shqiptare.
Futja në sektorin e mbrojtjes të një personi të hetuar jashtë Shqipërisë nga agjencitë antikorrupsion, me lidhje të dyshimtadhe me ndikim të drejtpërdrejtë nga politika, duhet të shqetësojë seriozisht Europën dhe NATO-n.
Kjo, për shkak se ky është një rast që prek drejpërdrejt infrastrukturën e sigurisë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s dhe dronët, automjetet taktike, sistemet anti-dron C-UAS dhe pajisjet ushtarake po kontrollohen nga një kompani me pronar të hetuar nga antikorrupsioni.
Një precedent i tillë, çdo vend europian do ta konsideronte të papranueshëm.
Qeveria ka tentuar ta mbulojë gjithccka me propagandë, sicc është nevoja e prodhimit të armëve në një kohë kur bota po zien nga frikërat e shpërthimit të një lufte me përmasa të mëdha.
Por strategjia gjeopolitike dhe rilindja e industrisë së mbrojtjes që po shet qeveria Rama, duket se fshehin një aferë të madhe, si ato që kanë zbuluar së fundi hetimet e SPAK.
Përballë këtyre shqetësimeve, opozita po hesht në mënyrë të pakuptueshme. Ajo do të duhet ta dërgojë pa vonesë këtë dosje në SPAK dhe të kërkojë transparencë në Komisionin e Mbrojtjes apo hetim paralamentar për të verifikuar kontratat, lidhjet politike të Yeffet dhe rolin e tij në këtë histori që prek thembrën e Alikit të sigurisë së Shqipërisë. /Zoom.al