zoom

Aktualitet

PD bën denoncimin e fortë: Shoku i Olsi Ramës bleu tokë 320 mijë euro, pas dy muajsh e rivlerësoi 26 mln euro

PD bën denoncimin e fortë: Shoku i Olsi Ramës bleu tokë 320 mijë euro, pas dy muajsh e rivlerësoi 26 mln euro

Partia Demokratike ka bërë një denoncim të fortë, përmes nënkryetarit Belind Këlliçi, i cili ka publikuar disa të dhëna lidhur me një transaksion pronësie dhe aktivitetin e kazinosë në kullën “Air Albania”.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi ka deklaruar se një person që ai e lidh me rrethin e afërt të Olsi Ramës ka përfituar nga një rritje e jashtëzakonshme e vlerës së një prone në Kepin e Rodonit. Sipas tij, një tokë e blerë për rreth 320 mijë euro është rivlerësuar vetëm pak muaj më vonë në vlerën 26 milionë euro.

Këlliçi e ka cilësuar këtë si një “mrekulli financiare”, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është rritur vlera e pasurisë dhe mbi përdorimin e saj në transaksione të mëtejshme biznesi.

Sipas pretendimeve të tij, ky rivlerësim i pronës ka luajtur rol në ndryshimet e strukturës së pronësisë së një kompanie që lidhet me licencën e kazinosë në kullën “Air Albania”. Këlliçi kërkon transparencë për mënyrën e kalimit të aksioneve dhe për personat që qëndrojnë pas strukturave të biznesit.

Reagimi i plotë:

Shokut të ngushtë të Olsi Ramës i ka ndodhur një mrekulli financiare, një përmbysje e paimagjinueshme dhe në skenaret e Hollivudit.

Për 2 muaj, ai ‘blen’ një tokë 320 mijë euro dhe e rivlerëson 26 milionë euro. Me gjysmën e kësaj toke ai bëhet pronar i kazinosë së kullës Air Albania.

Kjo lëvizje bëhet nën hundën e disa institucioneve që monitorojnë dhe teorikisht luftojnë pastrimin e parave, me në krye SPAK!

Me Edi Ramen, Olsi dhe shokët e tij kanë gjetur parajsën në Shqipëri.

Jo më kot, ndërsa kanë ikur 1 milionë shqiptarë nga vendi prej qeverisjes së keqe, korrupsionit e lidhjeve me krimin, i vetmi që është kthyer është vëllai i Kryeministrit dhe shoqëria e tij!!!/ Zoom.al

Postime të lidhura