zoom

Aktualitet

Sporti shqiptar në zi, humb jetën trajneri i njohur

Sporti shqiptar në zi, humb jetën trajneri i njohur

Profesor Artan Pogoni, një prej emrave më të spikatur në fushën e edukimit fizik, volejbollit dhe zhvillimit akademik të sportit në Shqipëri, është ndarë nga jeta.

Pogoni ndërroi jetë në Vlorë në moshën 54-vjeçare , pas një arresti kardiak që pësoi gjatë pushimeve. Ai la pas një karrierë të gjatë dhe të pasur në disa fusha. Pogoni ishte i njohur jo vetëm për kontributin e tij si pedagog dhe studiues, por edhe për angazhimin e vazhdueshëm në sportin elitar shqiptar.

Gjatë viteve të karrierës, ai mbajti detyrën e drejtuesit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit në Universitetin “Barleti”, ndërsa ishte gjithashtu pjesë e Senatit Akademik të këtij institucioni.

Me një formim të gjerë profesional, Pogoni zotëronte gradën shkencore “Doktor Shkencash” dhe kishte përfunduar katër programe universitare. Ai i kushtoi një pjesë të madhe të jetës kërkimit shkencor në sport, veçanërisht në fushat e metodologjisë së stërvitjes, edukimit fizik dhe rekreacionit sportiv.

Puna e tij akademike përfshin 12 punime shkencore dhe dy tekste universitare, ndërsa ishte pjesë e projekteve të ndryshme ndërkombëtare përmes programeve Tempus dhe Erasmus+, duke ndihmuar në afrimin e sportit shqiptar me praktikat moderne europiane.

Përveç punës në auditorë, Artan Pogoni kishte një histori të gjatë në terrenet sportive. Ai ishte ish-kampion volejbolli si lojtar, më pas trajner dhe drejtues sportiv. Ka shërbyer edhe si drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës dhe në vitet e fundit ishte një nga figurat kryesore të klubit “Barleti Volej”, ku dha kontribut edhe në drejtimin e ekipit të femrave.

Ai ishte gjithashtu një zë aktiv në diskutimet për zhvillimin e sportit shqiptar, duke ngritur shpesh çështje që lidhen me organizimin, menaxhimin dhe përmirësimin e strukturave sportive në vend./ Zoom.al

Postime të lidhura