zoom

Aktualitet

Zjarr në një fermë në Patos, digjen bagëtitë

Zjarr në një fermë në Patos, digjen bagëtitë

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë një fermë blegtorie në Patos, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe humbje të kafshëve.

Ngjarja ka ndodhur gjatë mesditës, kur flakët janë përhapur me shpejtësi në ambientet e fermës. Temperaturat e larta dhe prania e sasive të mëdha të ushqimit për bagëtitë kanë favorizuar përhapjen e zjarrit, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen.

Fermerët dhe banorët e zonës kanë tentuar të nxjerrin jashtë kafshët dhe të kufizojnë dëmet, ndërsa menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Patosit.

Për shkak të intensitetit të flakëve dhe rrezikut që zjarri të përhapej edhe në zona përreth, në operacion u angazhuan edhe forcat zjarrfikëse nga Fieri. Pas disa orësh përpjekjesh, ekipet arritën të neutralizonin situatën dhe të vendosnin nën kontroll zjarrin.

Bilanci paraprak i ngjarjes është i rëndë. Më shumë se 10 krerë bagëti kanë ngordhur si pasojë e zjarrit, ndërsa janë dëmtuar rëndë stallat, makineritë bujqësore dhe sasi të konsiderueshme ushqimi për kafshët.

Sipas vlerësimeve të para, dëmi ekonomik i shkaktuar në fermë arrin rreth 7 milionë lekë.

Shkaqet e zjarrit janë nën hetim nga autoritetet./ Zoom.al

Postime të lidhura