zoom

Aktualitet

Vendimi/ Apeli përjashton Pacollin nga administrimi, ndërtimi i aeroportit të Vlorës zhytet në pasiguri

Vendimi/ Apeli përjashton Pacollin nga administrimi, ndërtimi i aeroportit të Vlorës zhytet në pasiguri

Kompania “Mabco” e Behgjet Pacollit mbetet e përjashtuar nga e drejta e administrimit në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport”.

Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, sipas të cilit Behgjet Pacolli është përjashtuar nga administrimi i aeroportit të Vlorës deri në gjykimin në themel të konfliktit mes tij dhe Valon Ademit të “2A Group”.

Me vendimin e sotëm, Apeli ka konfirmuar masën e Gjykatës së Shkallës së Parë të datës 23 dhjetor 2025, që kishte përjashtuar kompaninë Mabco nga e drejta e votës dhe administrimit në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport duke e lënë administrimin e aeroportit në dorën e Valon Ademit.

Përplasja mes dy aksionerëve përfundoi në dyert e drejtësisë ku gjykata e Tiranës vendosi pezullimin e së drejtës së votës së Mabco-s, derisa çështja të shqyrtohej në themel. Ndërkohë Prokuroria e Tiranës, bazuar në kallëzimet e ndërsjella të aksionerëve, po heton për disa vepra penale.  

Me vendimin e sotëm e ardhmja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës duket se është futur sërish në një spirale pasigurie që duket se do të zgjasë bllokimin e projektit dhe lënë në pikëpyetje funksionimin e një investimi strategjik për jugun e vendit. 

Konflikti mes dy aksionarëve të Aeroportit të Vlorës shpërtheu publikisht, verën e vitit të kaluar dhe në themel të tij ishte përplasja për aksionet e aeroportit. Por më vonë u bë publik dhe një tjetër zhvillim i bujshëm.

 Aktualisht Behgjet Pacolli zotëron 98 për qind të kuotave në në aeroportin e Vlorës, përmes shoqërisë Mabco. Ndërsa Valon Ademi me kompaninë 2A Group zotëron 2 për qind. Por zoti Ademi pretendon se atij i takon të ketë 47 për qind të aksioneve.

Zoom.al/

Postime të lidhura