Aplikacion
Projekti i shumëpërfolur i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, i cili shihej si porta e re turistike e Jugut të Shqipërisë, rrezikon të kthehet në një faturë të kripur prej 250 milionë eurosh për taksapaguesit shqiptarë.
Biznesmeni Behgjet Pacolli, aksioneri kryesor i konsorciumit përmes “Mabco Constructions”, ka lëshuar paralajmërimin më të fortë deri më sot, pas akuzave se grupe të caktuara po kërkojnë t’ia marrin koncesionin. Ai tha se do t’i drejtohet drejtësisë ndërkombëtare.
Pacolli deklaroi se po shqyrton dy rrugë ligjore për të mbrojtur investimin e tij: aktivizimin e akordit bilateral Shqipëri-Zvicër për mbrojtjen e investimeve ose dërgimin e çështjes në Arbitrazhin Ndërkombëtar.
“Nëse shkoj në Arbitrazh, dëmi do jetë i madh. 247 milionë euro duhet të më kthehen,” u shpreh ai në emisionin Opinion në Televizionin Klan, duke nënvizuar se punimet në aeroport janë paralizuar prej shtatorit të kaluar.
Nëse do t’i drejtohet arbitrazhit, kjo do të jetë një ndër faturat më të majme që Shqipëria do të duhet të paguajë për shkelje të kontratave, pas 130 milionë eurove që po i paguan biznesmenit italian, Francesco Becchetti.
Pas sherrit mes ortakëve, fshihet një betejë e ashpër juridike dhe dyshime për një komplot të mirëfilltë. Konflikti nisi kur aksioneri minoritar (me vetëm 2%), Valon Ademi i kompanisë “2A Group”, pretendoi pronësinë e 49% të aksioneve, duke u bazuar në një marrëveshje private, që Pacolli e quan të manipuluar.
Sipas hulumtimeve të deritanishme, skema e pretenduar nga ana e Pacollit përfshin falsifikimin e dokumentave dhe pezullimin e të drejtës së votës në asamblenë e aksionereve.
Pacolli ka denoncuar publikisht se firma e tij është falsifikuar në dokumente noteriale dhe gjyqësore. Ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë mori një vendim të paprecedent duke pezulluar të drejtën e votës për “Mabco Constructions” (zotëruese e 98% të aksioneve), duke ia lënë de-facto kontrollin e asamblesë aksionerit me 2%.
Në media janë hedhur dyshime se pas lëvizjeve të Valon Ademit mund të fshihen interesa të grupeve të tjera financiare apo politike që synojnë të marrin në dorë koncesionin 35-vjeçar, pasi investimi fillestar është kryer dhe projekti ka marrë formë.
LEXO EDHE:
Pacolli nuk ka kursyer as akuzat personale, duke përmendur ish-bashkëpunëtorin e tij, Valon Lluka, të cilin e ka denoncuar në Kosovë për vjedhje të vazhdueshme (rreth 30 mijë euro në muaj). Lluka shërbente si administrator i projektit përpara se të shkarkohej nga Pacolli, por gjykata e riktheu në detyrë nëpërmjet masave të sigurimit të padisë.
Strategjia aktuale e mbrojtjes së Pacollit duket se po shënjestron sistemin e drejtësisë.
Një hetim ka nisur tashmë nga SPAK për zyrtarë të nivelit të dytë dhe të tretë që kanë firmosur dokumente dhe regjistrime në QKB në kundërshtim me ligjin.
Por çështja tani është në Apel dhe nnëse Gjykata e Apelit nuk kthen të drejtat e plota të pronësisë, rruga e vetme mbetet Arbitrazhi, ku Shqipëria ka një histori të dhimbshme humbjesh financiare.
Ndërkohë që beteja ligjore vijon, aeroporti i Vlorës, që duhej të hapej në mars, nuk funksionon. Pacolli premton se, nëse i kthehet kontrolli, projekti mund të përfundojë brenda 2 muajve, por aktualisht, fati i Aeroportit të Vlorës nuk varet më nga punimet, por nga vendimet e gjykatave që po vihen në dyshim për anësi. /Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës