zoom

Aktualitet

“Nuk mund ta përballoj më”/ Pacolli paralajmëron me mesazh të koduar: Po më soset durimi! Llumi e balta…

“Nuk mund ta përballoj më”/ Pacolli paralajmëron me mesazh të koduar: Po më soset durimi! Llumi e balta…

Përplasjet mes ortakëve në projektin e aeroportit të Vlorës vijojnë të thellohen. Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli, pjesë e shoqërisë VIA së bashku me “2A Group” të Valon Ademit, ka lënë të kuptohet se mund të zbardhë së shpejti prapaskenat e këtij projekti, ndërsa mes palëve vazhdojnë betejat gjyqësore për aksionet.

Situata është tensionuar edhe më tej pas vendimit të 19 shkurtit, kur Gjykata e Apelit i kaloi të drejtën e administrimit kompanisë “2A Group”, në kuadër të një çështjeje të lidhur me një kredi prej 100 milionë eurosh të marrë nga “Mabco” me fondin “Delphos”.

Paralelisht, Pacolli ka ngritur shqetësime edhe për përjashtimin e përfaqësuesve të tij nga një mbledhje e thirrur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për projektin e aeroportit.

Në një reagim publik, ai sinjalizoi se durimi i tij po shkon drejt fundit, duke paralajmëruar se mund të vijë momenti kur do të bëjë publike të gjitha zhvillimet dhe prapaskenat që, sipas tij, kanë shoqëruar këtë proces.

“Ne jemi kthyer në një gjendje që i ngjan një DIGE që duron mbushjen ngadalë me ujë – ujë të turbullt, të rëndë, të ndotur nga lumi që derdhet në të. Këtë mbushje e shtojnë edhe shumë përrenj të vegjël përreth, që sjellin po ashtu llom dhe baltë me erëra të padurueshme.

Po i përballojmë me zhgënjim, por me dinjitet, të gjitha intrigat, fyerjet dhe goditjet e padrejta nga ata për të cilët gjithmonë kemi mbajtur dorën, zemrën dhe derën hapur. Pikërisht këta janë ata ‘përrenjtë e vegjël’, të nxitur nga lumi i madh, që e çojnë liqenin drejt mbingarkesës, deri në pikën kur DIGA nuk mund ta përballojë më dhe rrezikon të çahet. Po frikësohem që do të vijë një ditë kur do të bëhet vonë për çdo riparim”, shprehet Pacolli.

Postime të lidhura