zoom

Aktualitet

Pengmarrja e Aeroportit të Vlorës dhe shteti duarkryq

Pengmarrja e Aeroportit të Vlorës dhe shteti duarkryq

Pista e Aeroportit të Vlorës, që do të duhet të zhurmonte nga avionët me turistë, është shndërruar në një arenë përplasjesh ligjore mes ortakëve që po mbajnë peng zhvillimin turistik të Jugut. Në këtë skenar, qeveria shqiptare ka zgjedhur rolin e spektatorit, duke lejuar që një sherr privat t’u faturohet shqiptarëve.

Nga Zoom.al

“Brenda pranverës 2024, ne do të ulemi në këtë pistë. Kush qesh sot, do të vijë të fluturojë nga këtu nesër.”

Më 20 prill të vitit 2021 Edi Rama shqiptoi këto fjali të thjeshta për t’iu përgjigjur skeptikëve të projektit të Aerportit Ndërkombëtar të Vlorës. 

Por e nësërmja nuk ishte 2024-ra që parashikonte Rama. Kanë kaluar 2 vjet dhe Aeroporti i Vlorës vazhdon të jetë një kantier në ndërtim. Sot askush nuk e di se kur është e “nesërmja” nga ku do të fluturohet edhe nga ky aeroport. 

Më 8 maj të vitit 2025, Behgjet Pacolli do t’ia rriste shpresat, edhe pse me 1 vit vonesë. Presidenti i Mabco u ul në pistën e Aerportit të Vlorës me një avion të marrë më qira, për të mbajtur premtimin që kishte bërë publikisht në janar të 2024-ës: “Në mars 2025, unë personalisht do të zbres me avionin tim në pistën e Vlorës. Është një premtim që ia kam bërë popullit shqiptar dhe kryeministrit Rama.”

Por ky ishte avioni i parë dhe i fundit që preku pistën 3.2 kilometrash të aeroportit të Vlorës. Ka kaluar 1 vit dhe të vetmit që fluturojnë mbi sipërfaqen e madhe të Akërnisë janë pelikanët dhe një mori zogjsh të tjerë. 

Pista që do të duhet të zhurmonte nga avionët me turistë është shndërruar në një arenë përplasjesh ligjore mes dy oartakëve. Mosmarrëveshjet e tyre po mbajnë peng vënien në punë të kësaj vepre dhe bashkë me të edhe zhvillimin turistik të Vlorës dhe jugut të vendit.

3 javë më parë “VIA” njoftoi se nuk do t’i nisë as këtë vit fluturimet, pasi nuk ka arritur të marrë certifikimet e nevojshme. Por ky nuk është i vetmi shkak. Konfliki mes dy aksionerëve kryesorë është thelbi i gjithçkaje. 

Zoom.al ka shqyrtuar me dhjetëra dokumente, kontrata, marrëveshje, padi e vendime gjyqësore, nga të cilat rezulton ky koncesionar po shkon drejt një skenari të rrezikshëm. Interesat private të dy aksionerëve nga Kosova dhe heshtja e dyshimtë e qeverisë po bëjnë gati një faturë të kripur për taksapaguesit shqiptarë. [SHIKO KËTU KONTRATËN E KONCESIONIT]

Konflikti mes aksionerëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi 

Projekti është teknikisht i ngrirë për shkak të konfliktit mes “Mabco Constructions” të Behgjet Pacollit dhe aksionerit minoritar “2A Group” të Valon Ademit. Paditë në Gjykatën Administrative për mënyrën e transferimit të aksioneve kanë krijuar një ngërç juridik, si pasojë e të cilit asnjë operator ndërkombëtar, si Aeroporti i Mynihut, nuk mund të marrë certifikimin final të sigurisë për sa kohë pronësia e koncesionit është nën kontestim.

Gjithçka nisi në vjeshtën 2025. Gjatë muajit shtator në Qendrën Kombëtare të Biznesit u depozitua një shkresë përmes së cilës “2A Group” kundështonte transferimin e aksioneve të kompanisë turke “YDA” te Mabetex e Pacollit. Turqit kishin 48% të aksioneve, por ia shitën Pacollit pasi u firmos koncesioni, për shumën qesharake 4450 euro. Pacolli tha në një intervistë se ai u kishte paguar edhe 3 milionë euro atyre, me fatura bankare edhe pse ky pretendim mbetet i paverifikuar nga faturat bankare të depozituara në QKB.Aksionet e Mabco në “VIA” shkuan në 98%. Por Valon Ademi pretendonte se me llogaritjen e drejtë të kontratës fillestare dhe largimin e turqve, pjesa e tij duhet të shkonte në 59.2%.

[AKSIONET SIPAS AKTIT TË THEMELIMIT]

Kur kjo shifër u shkrua më 15 tetor të vitit 2025 në kërkesën për sigurim padie që “2A Group” bëri në Gjykatën e Tiranës, brenda konsorciumit shpërtheu bomba. 

Shifra prej 59.2% doli nga interpretimi që Valon Ademi i bëri klauzolës së mosplotësimit të kushteve nga ana e partnerëve të tjerë. Ai pretendonte se “Mabco” nuk kishte sjellë mjetet financiare në kohë sipas planit të biznesit dhe për pasojë, për shkak të penalitetit kontraktual, kontrolli i maxhorancës së aksioneve i kalonte atij. 

Padia shënoi momentin kur nisi zyrtarisht pengmarrja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Ministria e Infrastrukturës u përgjigj se nuk i interesonte marrëveshja private mes aksionerëve dhe se të vetmin dokument që njihte zyrtarisht ishte Kontrata e Koncesionit. Por qeveria nuk ndërmori asnjë veprim të mëtejshëm për të ndërhyë që të zhbllokonte “pengmarrjen” edhe pse shteti, si autoritet kontraktues, ka detyrimin ligjor të garantojë që brenda konsorciumit të ketë stabilitet.  

Më 17 tetor Gjykata e Tiranës e pezulloi votën e “Mabco” deri në zgjidhjen e çështjes në themel.

Më 20 tetor, Emin Pacolli padit në prokurorinë e Tiranës ish -administratorin e “Mabco” Valon Lluka dhe pronarin e “2A Group”, Valon Ademin për mashtrim. 

Më 22 dhjetor 2025 Gjykata e Apelit zbut masën e sigurimit të padisë për vetëm 47% të aksioneve të kontestuara, por i njohu kompanisë “Mabco” të drejtën e votës për 51% të aksioneve në VIA. 

Por më 24 dhjetor, përmes një padie të dytë, Gjykata e Tiranës vendosi sërish t’ia pezullojë “Mabco-s” të drejën e votës. 

Mabco e dërgon për rekurs dhe në shkur të 2026, me një vendim të diskutueshëm, Gjykata e Apelit la në fuqi masën e sigurimit të padisë, duke argumentuar se konflikti mbi 59.2% të aksioneve ishte serioz dhe kërkonte hetim të plotë themeli përpara se maxhoranca të lejohej të merrte vendime të reja.

Paralelisht me betejën për votën, Valon Ademi hapi një front të ri në Gjykatën Administrative kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të shpallur të pavlefshëm miratimin që Ministria i dha blerjes së aksioneve të turqve të YDA nga Pacolli.

Gjykata Administrative e pranoi padinë.

Në prill të këtij viti “Mabco” e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë, për të kërkuar një vendim emergjent për zhbllokimin e operimeve të kompanisë. Sipas saj, pezullimi i votës po shkakton një dëm të pariparueshëm interesit publik dhe po çon drejt falimentimit koncesionin, pasi kompania nuk mund të nënshkruajë asnjë kontratë operative me furnitorët e energjisë, karburantit apo sigurisë aeroportuale.

Pazaret me Aeroportin me fondin e dyshimtë për 100 milionë euro kredi 

Ndërsa përplasej me Valon Ademin për aksionet, në mars të vitit 2025 Pacolli kishte nisur një lëvizje e fshehtë financiare, e cila, për disa ekspertë, rrezikon ta nxjerrë aeroportin plotësisht nga kontrolli i shtetit shqiptar. Ai kishte firmosur një kontratë kredie prej 100 milionë eurosh të nënshkruar nga “Mabco Constructions” me një fond misterioz në Luksemburg, të quajtur Delphos Securities SARL (Compartment Bernina).

Kjo marrëveshje, e lidhur në fshehtësi të plotë nga sytë e publikut, ka ngritur dyshimet se nuk bëhet fjalë për një kredi të thjeshtë bankare, por për një lënie peng të Aeroportit, si kolateral jo vetëm për asetet e aeroportit, por edhe vetë garancitë e qeverisë shqiptare për të ardhurat e projektit. Pra, taksat e shqiptarëve që supozohet të garantojnë fluturimet, shërbejnë si garanci për borxhet private të Pacollit ndaj një fondi offshore.

Fondi huadhënës përfaqësohet nga Bart Turtelboom, një personazh i njohur në financat ndërkombëtare për lidhjet e tij të ngushta me “Klubin e Parisit” dhe transaksionet ruse. Pas strukturës “Bernina” qëndrojnë investitorë nga Kazakistani dhe Rusia. Kjo ka ngritur dyshime të forta se porta hyrëse e jugut të Shqipërisë po përfundon në duart e kapitalit që vjen nga vende jashtë sferës së interesit të NATO-s.

Kontrata e kredisë përmban një  marrëveshje që është një goditje e hapur ndaj kontrollit shtetëror. Sipas këtij dokumenti, shoqëria koncesionare VIA bëhet bashkë-huamarrëse automatikisht, duke anashkaluar nevojën për miratim nga qeveria shqiptare.

Kjo do të thotë se nëse Pacolli dështon të paguajë këstet me interes fillestar 7.625%, fondi fantazmë ka të drejtë të marrë kontrollin operacional dhe ekonomik të aeroportit përmes klauzolave të “Default-it”. Në këtë skenar, Aeroporti i Vlorës nuk do të jetë më as i Pacollit dhe as i shqiptarëve, por pronë e një llogarie offshore në Luksemburg.

Zhurma zgjon SPAK -un

Zhurma e madhe e sherrit të aksionerëve ra në veshin e prokurorëve të SPAK. Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim që prek disa dimensione të projektit. Ai është fokusuar te procedura dhe implikimet financiare që rëndojnë buxhetin e shtetit. 

Hetimi nis nga procedura e tenderimit (LEXO KËTU SHPALLJEN). SPAK po heton nëse gara e vitit 2021 ishte e mirëfilltë apo një proces i paracaktuar, pasi ditën e dorëzimit të ofertave, në tavolinë ishte vetëm ajo e konsorciumit të udhëhequr nga “Mabetex Group” e Pacollit. Prokurorët po këqyrin shkresat e Ministrisë së Infrastrukturës për të parë nëse kriteret e tenderit u hartuan në mënyrë të tillë që t’i përshtateshin vetëm këtij grupi operatorësh.

Por “Klauzola e Artë” është dokumenti më përvëlues në duart e prokurorëve të SPAK. Hetuesit po analizojnë nëse pranimi i kësaj klauzole përbën “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”. Objekti i hetimit është fakti se si u vendos shifra prej 138 milionë eurosh si garanci dhe a ka pasur një studim fizibiliteti real që justifikon këtë rrezik që shteti ka marrë përsipër. SPAK po heton nëse kjo klauzolë është vendosur qëllimisht për të favorizuar koncesionarin, duke i garantuar fitimin edhe nëse aeroporti dështon të ketë pasagjerë.

SPAK ka treguar interes edhe për mënyrën se si ndryshuan kuotat e aksioneve brenda shoqërisë “Vlora International Airport”. Pika e nxehtë është transferimi i aksioneve nga kompania turke “YDA” te “Mabco” dhe denoncimet e bëra nga aksioneri minoritar “2A Group” Valon Ademi. Hetuesit po shohin nëse ka pasur falsifikim dokumentesh apo veprime fiktive për të nxjerrë jashtë loje partnerët e vegjël dhe nëse institucionet, si QKB apo Ministria e Infrastrukturës kanë mbyllur sytë para këtyre parregullsive.

Një degë tjetër e hetimit lidhet me vlerën e shpronësimeve në zonën e Akërnisë. Po hetohet nëse ka pasur emra të përveçëm që kanë blerë tokë me çmim të lirë pak para projektit dhe janë dëmshpërblyer me vlera të larta nga shteti. [SHIKO KËTU MASTERPLANIN]

Nën hetim janë edhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave dhe drejtues të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. SPAK po kërkon të zbulojë nëse ka pasur komunikime mes zyrtarëve të shtetit dhe përfaqësuesve të koncesionarit para nënshkrimit të kontratës.

Shteti si spektator

Ndërsa ortakët e koncesionit po provojnë dyert e të gjitha gjykatave të Republikës së Shqipërisë, shteti hesht. 

Megjithatë koncesionari duket se nuk po nxiton. Behgjet Pacolli u shfaq i qetë në një intervistë televizive 3 javë më parë. Arsyeja? Ai ka në xhep atë që në korridoret e Ministrisë së Financave flitet si “Klauzola e Artë” ose Garancia e të Ardhurave, të vulosur në kontratën koncesionare. 

Zoom.al ka analizuar dokumentet e koncesionit që parashikojnë një mekanizëm që u jep qetësi financiare aksionerëve, sipas të cilit shteti shqiptar është angazhuar të mbulojë humbjet e kompanisë nëse trafiku i pasagjerëve nuk arrin nivelet e parashikuara. Shifra përllogaritet në rreth 138 milionë euro për 10 vitet e para.

Kjo garanci nuk është vetëm për mbulimin e mungesës së pasagjerëve, por edhe për interesat e kredive që koncesionari merr për llogari të projektit, duke e bërë shtetin garant të borxheve private të Pacollit.

Duke e shtyrë hapjen, koncesionari duket se po ndërton një dosje për vonesa administrative të shkaktuara nga shteti, përfshirë vendimet e gjykatave. Qëllimi, thonë disa ekspertë të kontaktuar nga Zoom.al, është që të kërkohet aktivizimi i garancisë financiare pa u ngritur asnjë avion nga toka.

Shteti sërish hesht. Qeveria po sheh si spektatore se si po luan me një vepër të një rëndësie të veçantë një investitor i përzgjedhur prej saj, pa garë. 

Megjithatë, Behgjet Pacolli, tentoi t’i paraprinte çdo mekanizmi që shteti mund të përdorë, me atë të një kërcënimi për Abitrazh. 

Por sado që ai shfaqet i qetë, ekspertët thonë se ka disa mënyra që shteti të mund të përdorë për të ndërprërë zvarritjen e kësaj vepre, pa e dëmtuar xhepin e vet. Sipas tyre, bazuar në praktikat më të mira të të drejtës tregtare dhe kontratave të koncesionit, nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës, qeveria mund të aktivizojë atë që duhet “e drejta e ndërhyrjes”. 

Ata saktësojnë se kur koncesionari dështon të operojë ose bllokohet nga konflikte të brendshme që rrezikojnë interesin publik, shteti ka të drejtë të marrë përkohësisht menaxhimin e projektit në dorë.

Në këtë formë, shteti mund të emërojë një administrator të përkohshëm, ose një kompani ndërkombëtare menaxhimi, që të përfundojë certifikimin dhe të nisë fluturimet, ndërkohë që Pacolli dhe Ademi vazhdojnë sherrin në gjykatë për aksionet. 

Kjo do të ndante operimin e veprës nga pronësia e aksioneve.

Dhe kjo është vetëm njëra nga format, pasi qeveria ka në dorë disa leva të tjera. Ajo mund të kërkojë edhe mbylljen e kontratës, me argumentin se konsorciumi ka dështuar të ruajë stabilitetin e brendshëm, që sanksionohet në pjesën e “Aftësisë Operative” të kontratës. 

Në këtë rast, shteti paguan vetëm koston e punimeve të kryera dhe jo fitimin e munguar apo “Klauzolën e Artë”. 

Por në vend që të përdorë çdo mjet që ka në dorë, në mënyrë që Aeroporti i Vlorës të vihet në punë, shteti ka zgjedhur të rrijë duarkryq. 

Duke mos ndërhyrë, qeveria mund të justifikohet se po shmang përballjen në arbitrazh, por ajo po humbet miliona euro që do të përfitonte ekonomia nga vënia në punë e kësaj vepre. 

Sa më shumë qëndron aeroporti në këtë gjendje, aq më shumë rritet mundësia që koncesionari të fitojë miliona pa operuar asnjë ditë, duke përdorur vonesat si pretekst për të kërkuar më shumë para nga shteti, duke e shndërruar në këtë mënyrë edhe këtë krizë në një biznes fitimprurës. 

Ndërsa qeveria, jo vetëm nuk e ka më të qartë se kur do të hapet Aeroporti, por nuk di të shpjegojë as se përse po lejon që një sherr privat t’u faturohet shqiptarëve si dëm publik. 

© Zoom.al – Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Postime të lidhura