Aplikacion
Aeroporti i Vlorës nuk do të nisë operimin gjatë sezonit veror, duke sjellë pasojat e para në sektorin e turizmit. Agjencitë nordike kanë anuluar kontratat turistike me operatorët shqiptarë, kryesisht ato të tipit “allotment”, që parashikojnë rezervim paraprak dhomash pa pagesë.
Burime nga tregu bëjnë me dije se tur-operatorët janë njoftuar këtë javë nga autoritetet se hapja e aeroportit është e pamundur, për shkak të mungesës së certifikimit të nevojshëm për nisjen e fluturimeve.
Elvis Kotherja, themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality”, konfirmoi për “Monitor” se charterat nga vendet nordike janë anuluar për këtë sezon. Sipas tij, bëhet fjalë për të paktën tre fluturime në javë që pritej të sillnin turistë drejt Vlorës.
Megjithatë, ai thekson se Shqipëria mbetet në planet e këtyre tregjeve për vitin e ardhshëm. “Është arritur dakordësi që vendi të vijojë të jetë pjesë e destinacioneve për sezonin e ardhshëm, me një rritje të numrit të charterave në pesë në javë, nga Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Danimarka”, u shpreh Kotherja.
Kjo është hera e dytë që shtyrja e hapjes së aeroportit ndikon në sezonin turistik. Edhe një vit më parë, fluturimet charter u devijuan drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa turistët u transportuan me autobusë drejt Vlorës.
Operatorët turistikë raportojnë se kishin lidhur kontrata me agjenci të huaja dhe disa hotele kishin marrë pagesa paraprake. Moshapja e aeroportit pritet të krijojë vështirësi të reja për sektorin.
Ndërkohë, situata në projektin e aeroportit mbetet e paqartë. Dy aksionerët kryesorë të konsorciumit janë përfshirë në një konflikt ligjor, ndërsa qeveria po ndjek zhvillimet. Edhe pse më herët ishte deklaruar se fluturimet mund të nisnin në qershor, burime nga Ministria e Infrastrukturës e kanë konsideruar këtë afat të parealizueshëm, me kërkesa për shtyrje të mundshme deri në muajin shtator./ Monitor
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës