Aplikacion
Shoqëria “Mabco Constructions SA”, në pronësi të Behgjet Pacollit, ka dalë me një reagim publik ku kundërshton emërimin e administratorit të shoqërisë Vlora International Airport – VIA sh.p.k., duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe në kundërshtim me legjislacionin shqiptar në fuqi.
Në një deklaratë zyrtar nga Lugano e Zvicrës, “Mabco”, e cila zotëron 98% të kapitalit të VIA sh.p.k., bën me dije se emërimi i shtetasit Vegim Hoxha në postin e administratorit është kryer pa një vendim të rregullt të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve. Sipas kompanisë, nuk janë respektuar as procedurat ligjore për thirrjen dhe zhvillimin e asamblesë, as kuorumi minimal, të kërkuar nga ligji për marrjen e një vendimi të tillë.
“Mabco” thekson se vendimmarrja është ndërmarrë në mënyrë të njëanshme nga ortaku “2A Group sh.p.k.”, i cili zotëron vetëm 2% të kuotave të shoqërisë, ndërkohë që ligji parashikon një përfaqësim minimal prej 30% të kapitalit për emërimin e administratorit.
Shoqëria e Behgjet Pacollit njofton se i është drejtuar gjykatës për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të emërimit dhe për vendosjen e masës së sigurimit të padisë. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka pranuar kërkesën, duke vendosur që z. Vegim Hoxha të mos ushtrojë kompetenca të plota administrimi, por vetëm veprime të kufizuara, deri në një vendim përfundimtar mbi çështjen.
Në këtë kontekst, “Mabco” paralajmëron palët e treta që çdo akt, kontratë apo veprim juridik i ndërmarrë në emër të VIA sh.p.k. nga z. Hoxha do të konsiderohet i pavlefshëm dhe se kompania do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e interesave të saj dhe të shoqërisë koncesionare.
Shoqëria thekson se qëllimi i këtij qëndrimi publik është garantimi i transparencës dhe sigurisë juridike, veçanërisht për subjektet që mund të hyjnë në marrëdhënie kontraktore me VIA sh.p.k./ Zoom.al