Aplikacion
Një seri padish të reja në SHBA dhe skema të dyshimta që përfshijnë biznesmenin Ron Yeffet, i cili së fundmi është bërë një aktor kyç në industrinë ushtarake shqiptare, kanë dalë në dritë.
Zoom.al po sjell të përmbledhura gjetjet e bëra nga emisioni investigativ Plug, i cili e vizaton Ron Yeffet, mikun e ngushtë të kryeministrit Edi Rama, si një prej mashtruesve klasikë me kontratat qeveritare dhe ato private.
Sipas dokumenteve gjyqësore të shkurtit 2026, kompania Naval Logistic ka paditur Yeffet për mospagimin e një fature prej 55,000 dollarësh për riparimin e jahtit të tij luksoz.
Bëhet fjalë për një model të përsëritur ku Yeffet kërkon punime luksoze, pretendon mungesë cilësie për të shmangur pagesën, dhe më pas përdor këto mjete për të joshur investitorë të tjerë.
Për t’u shpëtuar detyrime ligjore avioni i tij charter, i cili dikur shërbente si mjet marketingu për të mashtruar biznesmenin Mark Faist (për 8.6 milionë USD), ka ndryshuar pronësi në maj 2025, duke kaluar në një kompani offshore në Delaware.
Por pjesa më shqetësuese e veprimtarisë se Yeffet duket të jetë biznesi i armëve.
Një pikë alarmante është kontrata me kompaninë teknologjike SMX (Security Matters). Në janar 2024, kompania e Yeffet, R&I Trading, lidhi një kontratë 5 milionë dollarësh për një sistem IT që do të shërbente për “transparencën e zinxhirit të furnizimit në një shtet anëtar të NATO-s”.
Pas marrjes së produktit, Yeffet ka ndërprerë kontratën në mënyrë të njëanshme, duke u përballur tashmë me arbitrazh ndërkombëtar.

Lidhja me qeverinë shqiptare dhe kompaninë KAYO të armëve
Zoom.al ka raportuar më parë të dhëna që ngrenë dyshime të forta mbi favorizimin e Yeffet nga kryeministri Edi Rama.
Në Shqipëri ai ka mundur të sigurojë monopolin e armëve, me një kontratë që largmendsh mund të jetë siguruar pa lejen e kryeministrit Rama.
Pavarësisht CV-së me akuza mashtrimi dhe problemeve me kontratën e armëve me një vend të NATO, Yeffet ka krijuar ortakëri me kompaninë shtetërore KAYO për prodhimin e armëve dhe mjeteve të blinduara.
Siç ka raportuar Zoom.al me fakte nga dokumentat zyrtare të Thesarit, ai ka përfituar mbi 10 milionë euro paradhënie nga shteti shqiptar pa garë dhe pa transparencë.
Në qendër të operacionit qëndron kompania TIMAK, e cila u përdor si urë kalimi për t’i dhënë Yeffet kontrollin e industrisë së armëve përmes shoqërisë shtetërore KAYO.
Vetëm pak ditë pas miratimit të VKM-ve që hapnin rrugën për industrinë ushtarake, Ron Yeffet bleu 49% të aksioneve të kompanisë TIMAK për vlerën simbolike prej 490 euro. Kjo ndodh ndërkohë që kompania kishte deklaruar miliona euro fitim një vit më parë.
Bilancet tregojnë se TIMAK, e cila tashmë do të prodhojë dronë dhe mjete të blinduara, nuk ka kapacitete. Ajo ka vetëm 1 punonjës të deklaruar dhe nuk zotëron makineritë e nevojshme për prodhim. Dyshimet janë se mjetet thjesht importohen ose modifikohen në mënyrë informale.
Edhe pse Kryeministri deklaroi se shteti nuk do të paguante, brenda 2 muajve nga themelimi i “Timak Defence”, kompania mori dy pagesa nga Thesari me vlerë totalë 10.48 milionë euro për sisteme anti-dron dhe mjete taktike.
LEXO EDHE:
Miqësia e ngushtë me Ramën dhe festa në Paris
Miqësia mes Kryeministrit Edi Rama dhe Ron Yeffet ka arritur në nivele të ngushta familjare, duke u shfrytëzuar si mjet për të rritur besueshmërinë e këtij të fundit para viktimave të tij të radhës në biznes. Sipas pamjeve ekskluzive të siguruara nga rrjetet sociale të bashkëshortes së biznesmenit Mark Faist, rezulton se në tetor të vitit 2020, Edi Rama ka udhëtuar privatisht drejt Parisit për të marrë pjesë në ditëlindjen e bashkëshortes së Ron Yeffet.
Ky udhëtim, i cili nuk figuron në asnjë axhendë zyrtare të Kryeministrisë, përkon saktësisht me ditët kur Rama nuk po shfaqej në ekranet shqiptare, siç bën thuajse çdo ditë.



Prania e Kryeministrit në këtë festë luksoze shërbeu si garanci kapitale për biznesmenin Faist, i cili u bind se investimi i tij ishte i sigurt nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të kreut të qeverisë shqiptare, duke i hapur rrugë kështu skemës së zhvatjes prej 8.6 milionë dollarësh nga Yeffet.
Yeffet akuzohet se ka shërbyer edhe si ndërmjetës për takime të nivelit të lartë, përfshirë vizitën e Eric Adams në Shqipëri. Ai, sipas disa burimeve të besueshme të Zoom.al qëndron edhe pas lidhjeve të kryeministrit Rama me qeverinë izraelite të Netanyahut.
Opozita, përmes deputetit Belind Këlliçi, ka drejtuar pyetje publike nëse Shqipëria është vendi i NATO-s i përmendur në kontratat problematike të SMX dhe nëse siguria e Aleancës po rrezikohet nga këto manovra korruptive.
Deri tani asnjë instancë shtetërore nuk ka reaguar, ndërsa SPAK ka pak gjasa të ketë hapur ndonjë hetim, pavarësisht këtyre thirrjeve apo investigimeve mediatike që kanë ekspozuar aferat e Ron Yeffet në Shqipëri e vende te tjera. /Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin