zoom

Lajme

Pasaporta shqiptare e Eric Adams, për biznes apo strehë politike?

Pasaporta shqiptare e Eric Adams, për biznes apo strehë politike?

Mes turizmit strategjik në jug, fabrikave të armëve në Tiranë dhe një pasaporte që i hap dyert e zonës Schengen, e sigurt është që Eric Adams nuk po vjen në Shqipëri për të dalë në pension, por për të nisur një kapitull të ri, ku kufiri mes politikës dhe biznesit është po aq i paqartë sa në në Nju Jorkun e tij edhe në Tiranën e Edi Ramës. 

Nga Zoom.al

Kur Eric Adams u shfaq në Samitin e Diasporës me një plis në kokë dhe një pasaportë shqiptare në dorë, shumë e panë si një tjetër akt të teatrit politik të Edi Ramës. Folklorin e pëlqen po njësoj edhe ish -kryebashkiaku i Nju Jorkut, që nuk lë rast pa u shfaqur nëpër sebepe patriotike.  

Por regjistrimi i tij si banor në Njësinë Bashkiake Nr. 2 në Tiranë duket se qëndron përtej dëshirave për flamurin kuqezi apo ndereve propagandistike për mikun e tij kryeministër. 

Si mik i Ron Yeffet, njeriut që ka marrë në dorë të gjitha kontrata e armëve në Shqipëri, ka gjasë që prapa kësaj aventure të fshihen llogari të menduara në detaje për biznes. 

Përndryshe, përse një person që ka menaxhuar metropolin e botës zgjedh të regjistrohet në lagjen e “Ali Demit”, një zonë që më shumë se për zhvillim njihet tregjet e rrobave të përdorura?

LEXO EDHE: https://zoom.al/radiografia-e-skandaleve-te-ron-yeffet-mashtrime-gjyqe-kontrata-milionere-armesh-dhe-festa-me-ramen/

Ndiq paranë

Siç shkruajti një ditë më parë edhe prestigjozja Politico.eu, pasaporta mund të jetë një manovër e thjeshtë administrative për të hapur rrugën e bizneseve lokale.

Me pasaportën shqiptare në xhep, Adams fiton të drejta që asnjë investitor i huaj nuk i ka. Ai mund të blejë tokë dhe mund të investojë në ndërtim e fusha të tjera shumë më lehtësisht sesa dikush që nuk është shtetas shqiptar. 

Por nëse ndjekim rrugën e parasë, emri i parë që del në shteg është ai i Ron Yeffet.  Miqësia e tyre shkon përtej lidhjeve sociale. Izraelito-amerikani Yeffet, që është njeriu që qëndron pas vizitës së parë të Adams në Tiranë, është i përfshirë thellë në industrinë e mbrojtjes përmes kompanisë TIMAK dhe KAYO.

Me tensionet globale në rritje, Shqipëria po synon të ringjallë industrinë ushtarake. Adams, me përvojën e tij si ish-kapiten i NYPD dhe lidhjet në Uashington, është lobisti perfekt për të sjellë teknologji amerikane në fabrikat shqiptare të armatimeve. Dhe kjo mund të ketë vlerë për aq kohë sa Ron Yeffet përballet me padi për mashtrime miliona dollarësh duke përdorur emrin e Edi Ramës.

Sidoqoftë, Adams është miqësor me paranë e shqiptarëve edhe përtej Ron Yeffet. Ai e di sa dorëlëshuar janë shqiptarët për miqtë. Kur vendosi të kandidonte për kryetar të Bashkisë së Nju Jorkut në vitin 2021, biznesmenët shqiptarë atje u bënë ndër donatorët e tij më besnikë. Vetëm në një mbrëmje të organizuar në Manhatan, u mblodhën afro 150,000 dollarë. Ndërsa qindra shqiptaro-amerikanë, pronarë restorantesh, ndërtues, punonjës të pasurive të paluajtshme etj, dhanë shumat maksimale të lejuara atëherë, rreth 2,000 dollarë për person.

Një “Plan B” pas skandaleve në SHBA?

Artikulli i Politico.eu ngre edhe një pyetje tjetër ngacmuese, nëse po e përdor Adams Shqipërinë si një strehë të sigurt për shkak të problemeve që ai ka në Amerikë?

Akuza me të cilat u përball Eric Adams në SHBA përbëjnë një nga skandalet më të mëdha politike të viteve të fundit, që kulmoi me një padi federale në shtator 2024. Edhe pse çështja u mbyll zyrtarisht në prill 2025 nga administrata Trump, akuzat fillestare ishin shumë të rënda.

Prokurorët federalë pretendonin se Adams kishte pranuar për më shumë se një dekadë dhurata të padeklaruara nga zyrtarë dhe biznesmenë turq. 

Ato përfshinin bileta avioni falas ose me ulje drastike në klasin “Business” me Turkish Airlines, me vlerë mbi 100,000 dollarë. Qëndrime falas në hotele luksoze në Stamboll, darka të shtrenjta dhe ture turistike.

Mashtrim me Fondet e Fushatës  apo vjedhja e taksapaguesve ishte akuza më e rëndë. Adams u akuzua se merrte para nga të huajt, çka është e paligjshme, por i regjistronte sikur vinin nga qytetarë amerikanë. Duke vepruar në këtë formë, ai mashtronte sistemin e Nju Jorkut për të marrë fonde publike shtesë , duke vjedhur kështu miliona dollarë nga taksat e qytetarëve për fushatën e tij.

Në këmbim të këtyre ryshfeteve, Adams akuzohej se kishte ushtruar presion mbi zyrtarët e zjarrfikësve të Nju Jorkut për të lejuar hapjen e godinës së re të Konsullatës Turke, pavarësisht se ajo nuk i plotësonte kushtet e sigurisë kundër zjarrit. Ky favor u bë që godina të ishte gati për vizitën e Presidentit Erdogan.

Prokuroria Federale pretendoi se Adams dhe stafi i tij tentuan të fshinin mesazhet dhe të falsifikonin fatura, për të krijuar idenë se pagesat ishin bërë nga vetë ai për udhëtimet që në fakt ishin ryshfet.

Çështja u pushua në prill 2025 pas një ndërhyrjeje të paprecedentë nga Departamenti i Drejtësisë i Donald Trump, që pretendoi se ndjekja penale po e shpërndante vëmendjen e Adams nga çështjet urgjente, si bashkëpunimi për imigracionin.

Gjykatësi Dale Ho, që mbylli dosjen, shkroi se e gjitha kjo ngjante si një Pazar mes Adams dhe Trump, ku akuzat u hoqën në këmbim të mbështetjes politike.

LEXO EDHE: https://zoom.al/politico-prapaskenat-e-shqiptarizimit-te-eric-adams-dhe-takimi-i-habitshem-me-edi-ramen/

Pikërisht ky lloj modeli biznesi, me favorizime politike në këmbim të përfitimeve personale, është arsyeja pse shumë analistë në SHBA, Europë dhe po ashtu edhe në Shqipëri, po shohin me dyshim lëvizjet e tij të fundit në Tiranë. Dyshimi është se ai po aplikon të njëjtën skemë që përdori me Turqinë, por këtë herë me pasaportë shqiptare në xhep.

Edi Rama e quajti Tiranën një Nju Jork të vogël dhe për Eric Adams kryeqyteti shqiptar mund të shndërrohet vërtet në një të tillë. 

Mes turizmit strategjik në jug, fabrikave të armëve në Tiranë dhe një pasaporte që i hap dyert e zonës Schengen, e sigurt është që Eric Adams nuk po vjen në Shqipëri për të dalë në pension, por për të nisur një kapitull të ri, ku kufiri mes politikës dhe biznesit është po aq i paqartë sa në në Nju Jorkun e tij edhe në Tiranën e Edi Ramës. 

Sa për idenë se ai mund të kandidojë për bashkinë e Tiranës, ajo qe një satirë e Zoom.al, që mesa duket është më e besueshme sesa aferat në të cilat ka dyshime se mund të zhytet shumë shpejt edhe ish-kryebashkiaku patriot i Nju Jorkut.

Postime të lidhura