zoom

Lajme

Rama i vë Cougar-in ushtarak në dispozicion Eric Adams-it për një vizitë luksi që paguhet nga qytetarët shqiptarë

Rama i vë Cougar-in ushtarak në dispozicion Eric Adams-it për një vizitë luksi që paguhet nga qytetarët shqiptarë

Në një kohë kur flota ajrore shqiptare përballet me mungesë fondesh për mirëmbajtje dhe përdorimin me kursim të helikopterëve për emergjenca, kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i vërë në dispozicion kryetarit të Bashkisë së New York-ut, Eric Adams, një helikopter Cougar të Forcave të Armatosura, që kushton miliona euro dhe shpenzon mijëra të tjera për çdo orë fluturimi, për të lëvizur nëpër Shqipëri. 

Pamjet nga Vlora, të transmetuara nga disa media, tregojnë helikopterin ushtarak të ulur në një fushë futbolli, për ta transportuar Adams dhe delegacionin e tij amerikan drejt Orikumit. 

Nga zëdhënësa e tij, Kayla Mamelak Altus, mësohet se vizita e Adams në Shqipëri ka për qëllim “të promovojë turizmin në New York”. Por asnjë marrëveshje, projekt apo memorandum konkret nuk është njoftuar mes bashkisë që Adams do të drejtojë edhe për pak ditë dhe asaj të Vlorës apo Tiranës. Vizita, agjenda e së cilës nuk është bërë e ditur as në New York as në Shqipëri, ngjan me një udhëtim personal të Adams, në fund të karrierës së tij në bashkinë më të rëndësishme të SHBA-ve. 

Në qytetin e tij, Adams përballet me akuza për përfitime të paligjshme nga kompani private, përfshirë favorizime nga Turkish Airlines, që i ka ofruar udhëtime dhe akomodime luksoze. Luksi po e ndjek edhe në Shqipëri, jo se Cougar është ndonjë mjet komod, por udhëtimet me një helikopter të tillë ushtarak kanë kosto të mëdha. 

Helikopterët Cougar janë ndër mjetet më të rëndësishme që Shqipëria ka për emergjenca civile. Disa prej tyre ngelën hangareve të Europës pasi kostot për t’u riparuar ishin tepër të mëdha, siç ka raportuar Zoom.al në disa artikuj, dhe qeveria nuk arriti t’i mbulonte në kohë për t’i pasur gati për të përballuar emergjencën e zjarreve. 

LEXO KËTU: E gjithë flota ajrore në tokë, çfarë po ndodh me helikopterët Cougar

Çdo orë fluturimi e tyre kushton mijëra euro në karburant, mirëmbajtje dhe logjistikë, prandaj përdorimi i tyre për raste të tilla “turistike” është një fyerje për vetë forcat e ushtrisë apo ata të emergjencave civile, të cilët përdorimin e Cougar-it e kanë pasur nevojë jetike në betejën me zjarret dhe tani shohin që ai përdoret për qokat e kryeministrit. 

LEXO KËTU: Helikopteri i Forcave Ajrore përdoret për “udhëtim turistik” në Alpe

Ky është paradoksi i një qeverie si kjo e Edi Ramës, që preferon propagandën dhe PR-in mbi përgjegjësitë dhe përgjegjshmërinë.

Për Adams, ky duket një “qyl” tjetër për të parë botën, një udhëtim nëpër Shqipëri i paguar nga taksat e shqiptarëve për një politikan që është në qendër të hetimeve federale dhe ka humbur çdo mbështetje për një mandat të dytë si kryetar i Bashkisë së New York-ut. 

Paratë që po shpenzon Cougar-i për t’i bërë shëtitje Eric Adams-it, mund të ishin përdorur fare mirë për emergjenca të tjera, si për shembull, vendosja e detektorëve funksionalë nëpër gjykata dhe rritja e sigurisë në këto institucione, që gjyqtarët të mos vriten në sallën e gjyqit, për shkak se palët në proçes mund të hynë edhe të armatosur dhe askush nuk i kap.

Në SHBA, gazeta New York Times, në një artikull të posaçëm për vizitën e Adams në Shqipëri, rikujtoi përfshirjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në akuzat federale për korrupsion që u ngritën për mikun e Ramës, ish -drejtuesin e lartë të FBI-se, Charles McGonigal. /Zoom.al

Postime të lidhura