Aplikacion
Artisti Labinot Tahiri ka prekur zemrat e ndjekësve me një vendim që ka marrë për familjen e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda papritmas nga jeta në nëntor të vitit të shkuar. Përmes një postimi tejet emocionues në rrjetet sociale, këngëtari ka deklaruar se do të mbështesë financiarisht djalin e vogël të Shpatit, Roelin.
“Nga ky sezon e tutje, dhe për sa kohë Zoti ma jep mundësinë të punoj, nga çdo mbrëmje vjetore-muzikore dhe dasmë do t’i ndaj nga 150 euro për Roelin, për shëndetin e tij dhe për ditët e jetës së tij”,- ka deklaruar këngëtari, duke sqaruar se të hollat do t’i dërgohen nënës së djalit, Selvijes.
Vetëm për këtë sezon, deri më tani, ai thotë se numëron rreth 50 evente të rezervuara, ndaj shuma pritet të jetë e konsiderueshme.
Në shkrimin e tij, Labinot Tahiri ka dhënë edhe një mesazh të fuqishëm për familjarët e të ndjerit, duke iu drejtuar atyre që të mos shqetësohen për anën financiare. “Zonja Selvie dhe nëna e Shpatit, mos u mërzitni për anën materiale. Sa të jemi ne, nuk do të jeni vetëm,”- është shprehur ai, duke zbuluar se këtë premtim ia kishte dhënë më parë edhe Big Mamës dhe shokut të Shpatit, Xenit.
Më tej, u ka bërë një thirrje të hapur të gjithë kolegëve të estradës që të ndjekin veprimin e tij./ Zoom.al

Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari