zoom

Lajme

Edi Rama gjen zgjidhjen për Tiranën, a po e përgatit Eric Adams për kryetar Bashkie?

Edi Rama gjen zgjidhjen për Tiranën, a po e përgatit Eric Adams për kryetar Bashkie?

Dilema e Edi Ramës nëse do të lërë Ogerta Manastirliun si kandidate për Tiranën apo do të zgjedhë Erion Braçen që e ka shprehur hapur ambicien për të qenë kandidat duket se ka marrë fund.

Për të shuar çdo tension të brendshëm në PS, Rama, me gjasë të madhe e ka gjetur zgjidhjen… nga jashtë.

Burime “shumë pranë, por edhe shumë larg” kryeministrit bëjnë me dije se Rama ka vendosur të importojë një kandidat të gatshëm. Bëhet fjalë për Eric Adams, ish -kryetarin e Bashkisë së New York -ut, i cili sapo është pajisur me pasaportë shqiptare në një ceremoni sa simbolike aq edhe strategjike.

Sipas këtyre burimeve, Adams është parë duke studiuar hartën urbane të Tiranës, ndërsa një grup ekspertësh vendas po i shpjegon dallimet thelbësore mes New York City dhe Tiranës, duke nisur nga trafiku, parkimet kreative dhe deri te arti i prerjes së shiritave çdo fundjavë.

Në të njëjtën kohë, thuhet se brenda PS-së ka rënë një qetësi e papritur: asnjë deklaratë nga Manastirliu, asnjë postim ironik nga Braçe. “Kur vjen një kandidat nga Amerika, të gjithë bëhen ndërkombëtarë,” u shpreh një zyrtar me humor.

Madje, po punohet edhe për sloganin e fushatës: “Nga Manhattan në Kombinat, o Tiranë ç’e pate fat”.

Ndërkohë, mësohet se Adams po trajnohet intensivisht për të shqiptuar saktë fjalën “legalizime” dhe “tendera” dhe për të buzëqeshur gjatë inaugurimeve të pafundme.

Ai ka nisur të mendojë dhe për stafin dhe burimet thanë se ka përgjedhur Ron Yeffet -in e Kayo-s së armëve për drejtor të Policisë Bashkiake. Në këtë formë do t’i kthejë nderin që Yeffet i ka bërë duke e prezantuar te Rama, ndërsa Yeffet prite t’i shesë armët e tij policisë bashkiake. Kjo do ishte edhe dyshja më e fortë e bashkisë së ardhshme, pasi të dy kanë eksperienca me korrupsionin, që duket si kusht i panegociueshëm për të qenë në krye të bashkisë së Tiranës.

Zyrtarisht, asgjë nuk është konfirmuar. Jozyrtarisht, gjithçka duket gati… përveç një detaji të vogël: i gjithë ky skenar është po aq real sa edhe ideja që “Spider Man”, ( ai i vërteti, jo lali Eri), të marrë drejtimin e urbanistikës së kryeqytetit si ndihmës i amerikano-shqiptarit nga Ali Demi, Eric Adams. /Zoom.al

Postime të lidhura