Aplikacion
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon këtë të martë seanca ndaj Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë.
Ditën e sotme ai ka rrëfyer planin për ekzekutimin e Oti Kilës (Elton Kila), vrasje që sipas Dumanit ishte porositur nga Suel Çela.
Nuredin Dumani tregoi para trupës gjykuese si i siguroi armët dhe mjetin me të cilin lëvizi ditën e ngjarjes, ndërsa shtoi se Oti Kilën e njihte personalisht.
“Suel Çela ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës. Ditën e ngjarjes isha vetëm në makinë, kur u qëllova isha shofer. Më qëlluan nga mbrapa. Më pas u ula te sedilja e pasagjerit në makinën X5 kur u plagosa. Oti Kilën e njihja personalisht, kam ndenjur me atë bashkë me vëllain tim. I kemi shitur një makinë dhe i kemi blerë një makinë. Në të njëjtën ditë u bë shit-blerja. Në 2019 një shef krimesh në Elbasan që Henrik Hoxha e kishtë shok, më jepte informacione për Talo Çelën. Shefin ma prezantoi Henriku, ai kërkonte 10 mijë euro në muaj. Një ditë para ngjarjes bleva një kallashnikov dhe silenciator në Fier. Sandër Baho më njohu me shitësin. Ditën e ngjarjes kisha mitraloz me 200 fishekë dhe një kallash. Mitralozin ma dha çuni i xhaxhait tim. Makinën për ngjarjen e bleva rreth 5-6 mijë euro, më thanë që ishte e vjedhur në Greqi, por nuk e di”, tha Nuredin Dumani.
200 mijë euro ishin ofruar nga Suel Çela për të eliminuar biznesmenin Elton Kila (i thirrur Oti), ngjarje kjo që u tentua të realizohej nga Nuredin Dumani më 29 mars të këtij viti, pikërisht data ku Dumani mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua në qytetin e Fierit./ Zoom.al