Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati në Sarandë. Grupi hetimor po shqyrton disa pista, ndërsa një prej tyre lidhet me ngjarjen ku një efektiv policie u dhunua një ditë përpara sulmit me armë.
Sipas burimeve, autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar dhe të pajisur me skafandra, çka ua ka vështirësuar identifikimin.
Pas të shtënave, ata mendohet se janë larguar me shpejtësi drejt zonës së plazheve në fund të rrugës “Mithat Hoxha”, ku dyshohet se kanë hipur në një skaf për t’u larguar nga vendngjarja.
Policia ka zhvilluar kontrolle intensive gjatë gjithë natës në përpjekje për të rënë në gjurmët e autorëve, ndërsa operacioni për identifikimin dhe kapjen e tyre vijon.
Ndërkohë, Thimjo Rubati është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Janinës, pasi fillimisht mori ndihmën e parë në spitalin e Sarandës.
Burime bëjnë me dije se 50-vjeçari ka qenë i vetëdijshëm pas plagosjes, por nuk ka mundur të japë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve, pasi ka deklaruar se nuk i ka njohur personat që hapën zjarr ndaj tij./ Zoom.al