zoom

Aktualitet

Atentati ndaj Thimjo Rubatit, çfarë zbuloi policia në vendngjarje

Atentati ndaj Thimjo Rubatit, çfarë zbuloi policia në vendngjarje

Autoritetet po vijojnë hetimet për atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i njohur edhe me emrin Sandër Rubati, duke zbardhur detaje të reja që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes së ndodhur një natë më parë.

Në vendin ku ndodhi sulmi, ekspertët kriminalistikë kanë sekuestruar nëntë gëzhoja pistolete të kalibrit 9 milimetra, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike.

Sipas të dhënave, autorët janë larguar menjëherë pas të shtënave me një motomjet në drejtim të zonës së plazheve pranë lagjes “Baba Rexhepi”. Më pas dyshohet se kanë përdorur një mjet lundrues për t’u larguar nga Saranda. Gjatë gjithë natës, forcat e policisë kanë zhvilluar kontrolle në zonë për të gjetur motorin e përdorur nga autorët dhe për të siguruar prova të tjera.

Grupi hetimor ka përjashtuar, të paktën në këtë fazë, mundësinë që atentati të ketë lidhje me incidentin e ndodhur një natë më parë, kur djali i të plagosurit, Andrea Rubati, së bashku me dy persona të tjerë, dyshohet se dhunuan dhe kërcënuan me thikë një oficer policie. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që kjo ngjarje të jetë përdorur për të devijuar hetimet, ndërsa po verifikohen edhe pista të tjera, përfshirë konflikte të mundshme dhe çështje pronësie.

Nga verifikimet rezulton se Thimjo Rubati ka precedentë të shumtë penalë si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi. Ai ka vuajtur dënim në shtetin fqinj për një vrasje, ndërsa në Shqipëri është dënuar për kontrabandë automjetesh. Më vonë, dënimi iu konvertua në shërbim prove nga Gjykata e Apelit.

Emri i tij është përfshirë edhe në hetime të tjera që lidhen me trafikimin e automjeteve dhe përdorimin e dokumenteve të identitetit të personave të tjerë për të shmangur detyrimet doganore. Aktiviteti kriminal i Rubatit daton prej fillimit të viteve 2000, kur ai u arrestua për trafik të paligjshëm emigrantësh dhe më pas për armëmbajtje pa leje.

Edhe djali i tij, Andrea Rubati, rezulton me precedentë penalë. Ai është arrestuar më herët për drejtimin e një automjeti të vjedhur në Itali, ndërsa aktualisht kërkohet nga policia në lidhje me ngjarjen ku mbeti i dhunuar oficeri Mihal Velço./ Zoom.al

Postime të lidhura