Aplikacion
Gjendja shëndetësore e 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i cili mbeti i plagosur gjatë atentatit të ndodhur mbrëmjen e së premtes në Sarandë, është stabilizuar. Pas ndihmës së parë të marrë në spitalin e Sarandës, ai u transportua drejt një spitali në Janinë, ku vijon të marrë trajtim të specializuar.
Burime pranë ekipit mjekësor bëjnë të ditur se në trupin e Rubatit janë konstatuar tre plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Dy prej plumbave kanë depërtuar pranë zonës së mëlçisë, ndërsa një tjetër në pjesën e legenit. Fatmirësisht, asnjëri nuk ka prekur organe jetësore, çka ka bërë të mundur stabilizimin e gjendjes së tij.
Mjekët sqarojnë se ndërhyrja e shpejtë dhe trajtimi i specializuar kanë qenë vendimtarë për shmangien e rrezikut. Fillimisht, 50-vjeçarit iu administruan transfuzione gjaku në spitalin e Sarandës, ndërsa më pas ai iu nënshtrua kujdesit të kirurgëve në Janinë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e atentatit vijojnë me intensitet. Mëngjesin e së shtunës, grupi hetimor është rikthyer në vendin e ngjarjes për të kryer veprime të tjera procedurale. Hetuesit po grumbullojnë pamje nga kamerat e sigurisë në zonë dhe po administrojnë prova të tjera që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Paralelisht me këto veprime, policia ka marrë në pyetje disa persona që mund të kenë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa po hetohen të gjitha pistat e mundshme për zbardhjen e atentatit dhe kapjen e autorëve./ Zoom.al