Aplikacion
Biznesmeni Pandeli Carapuli është zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dyshime që lidhen me pastrim parash dhe përfitime të paligjshme nga tendera publikë.
Sipërmarrësi u paraqit këtë të premte në ambientet e SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se hetimet lidhen me dosjen që përfshin edhe ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
Sipas hetuesve, Carapuli dyshohet të jetë pronari dhe zhvilluesi i resortit turistik “White Rocks” në Dhërmi, ku ndodhet vila luksoze që SPAK pretendon se është përfituar në mënyrë të parregullt nga Balluku në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në procedura tenderuese të zhvilluara gjatë kohës kur ajo drejtonte Albcontrol.
Në njoftimin e bërë publik një ditë më parë, SPAK deklaroi se ka vendosur sekuestro preventive mbi vilën e identifikuar si “F6”, një pronë dy katëshe në kompleksin turistik. Sipas organit të akuzës, pasuria dyshohet të jetë përdorur si formë përfitimi të paligjshëm në këmbim të favoreve në tendera publikë.
Hetimet kanë ngritur dyshime se për të fshehur pronësinë reale të vilës janë përdorur kontrata dhe veprime juridike fiktive. Në këtë skemë, sipas SPAK, është përfshirë edhe ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe ish-drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare.
Prokuroria pretendon se vila është regjistruar në emrin e Tares për të mbuluar pronësinë e vërtetë të saj. Për këtë arsye, një ditë më parë SPAK i komunikoi atij akuzën për pastrim parash. Në dosje përmendet edhe emri i Joana Bushit, ish-vartëse e Ballukut në Albcontrol, e cila dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e veprimeve fiktive.
Sipas hetimeve paraprake, kontrata e porosisë e vitit 2018 mes Igli Tares dhe biznesmenit Pandeli Carapuli, si edhe një kontratë qiraje e mëvonshme, dyshohen të jenë përdorur për të fshehur origjinën dhe pronësinë reale të pasurisë./ Zoom.al