Aplikacion
Igli Tare, është larguar nga ambientet e SPAK pas afro gjashtë orësh marrjeje në pyetje lidhur me hetimet që po zhvillohen për dosjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në dalje nga Prokuroria e Posaçme, Tare nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat, duke shmangur komentet për akuzat dhe hetimet në të cilat është përfshirë emri i tij.
Më herët gjatë ditës, u bë e ditur se SPAK i ka komunikuar Igli Tares statusin e të pandehurit për veprën penale të pastrimit të parave. Hetimet lidhen me vilën e sekuestruar në Dhërmi, për të cilën prokuroria dyshon se është fshehur në emër të ish-futbollistit.
Sipas SPAK, ekziston dyshimi se është ndërtuar një skemë për të mbuluar pronësinë reale të pasurisë, ku përveç Tares përfshihet edhe një ish-vartëse e Belinda Ballukut në kohën kur ajo drejtonte Albcontrol.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Posaçme shprehet se Balluku dyshohet të ketë përdorur shtetasin me inicialet I.T. dhe shtetasen J.B. për të fshehur origjinën e vilës që konsiderohet produkt i një përfitimi të paligjshëm.
Sipas hetuesve, në vitin 2018 është firmosur një kontratë porosie mes Igli Tares dhe pronarit të kompanisë “Eurocol”, kontratë që dyshohet të ketë qenë fiktive. Po ashtu, SPAK pretendon se më vonë janë kryer edhe veprime të tjera juridike të simuluara, përfshirë kontrata qiraje dhe amendamente të tyre, me qëllim fshehjen e pronarit të vërtetë të pronës./ Zoom.al