Aplikacion
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, ka kundërshtuar në rrugë gjyqësore vendimin e SPAK për sekuestrimin e një vile në zonën e Gjilekës, në Dhërmi, pasuri që ndodhet në qendër të hetimeve që po zhvillohen ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas informacioneve, Tare i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kërkuar shfuqizimin e masës së sekuestros mbi pronën. Ai pretendon se vila është në pronësinë e tij dhe se vendimi i marrë nga organet e drejtësisë është i pabazuar.
Seanca për shqyrtimin e ankimit është caktuar të zhvillohet më 30 qershor, kur trupa gjykuese do të vlerësojë argumentet e paraqitura nga palët.
Vila në fjalë u sekuestrua në kuadër të hetimeve të SPAK ndaj Belinda Ballukut. Prokuroria e Posaçme dyshon se pasuria mund të jetë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe se lidhet me favorizime të mundshme në procedura tenderuese gjatë kohës kur Balluku ushtronte funksione drejtuese në Albcontrol.
Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, Belinda Balluku ka përdorur Igli Taren dhe vartësen e saj në Albcontrol, sipas SPAK./ Zoom.al