Aplikacion
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj ish-zv-kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera publikë”. Ajo dyshohet gjithashtu për “korrupsion pasiv të zyrtarëve publikë” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Në kuadër të hetimeve, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin preventiv të një vile në Dhërmi, në resortin “White Rocks”, që rezulton në pronësi indirekte të saj.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se kjo pasuri është përfituar në mënyrë të parregullt në këmbim të favorizimit të një operatori ekonomik në një procedurë prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Po ashtu, dyshohet se janë përdorur veprime juridike fiktive për të fshehur origjinën dhe pronësinë reale të pasurisë.
Pasuria e sekuestruar është një vilë dy katëshe në resortin “White Rocks” në Gjilekë, Dhërmi, me sipërfaqe ndërtimi dhe parcelë të përcaktuar sipas kontratës së porosisë të vitit 2018.
Hetimet e mëtejshme kanë nxjerrë dyshime se në procedurën e prokurimit për rikonstruksionin e godinës së Albcontrol janë kryer shkelje ligjore në fazën e përgatitjes dhe zhvillimit të tenderit, duke krijuar avantazhe për kompaninë fituese “Eurocol” sh.p.k.
Sipas dosjes hetimore, favorizimi i kësaj kompanie ka vijuar edhe gjatë zbatimit të kontratës, përfshirë pagesa paraprake dhe shtesa kontrate. Në këmbim të këtij favorizimi dyshohet se është kërkuar dhe marrë një përfitim i parregullt në formën e një pasurie të paluajtshme me vlerë rreth 145 mijë euro.
Hetimet sugjerojnë gjithashtu se për të fshehur origjinën e kësaj pasurie janë përdorur kontrata fiktive dhe persona ndërmjetës, përfshirë kontrata porosie dhe qiraje të mëvonshme.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë, si dhe përgjegjësitë e tyre penale.