zoom

Lajme

Berisha “plas bombën”: Balluku po përgatit largimin nga Shqipëria

Berisha “plas bombën”: Balluku po përgatit largimin nga Shqipëria

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të forta ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se ajo po përgatitet të largohet nga Shqipëria dhe të kërkojë azil në një shtet tjetër.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha tha se, sipas informacioneve, Balluku ka nisur prej kohësh lëvizjen e pasurive jashtë vendit. Ai shtoi se janë kryer disa udhëtime drejt Greqisë me mjete lundruese, të cilat sipas tij janë përdorur për transportimin e sendeve me vlerë dhe shumave monetare.

Lideri demokrat u shpreh se procesi për sistemimin e Ballukut jashtë Shqipërisë është në zhvillim dhe se, sipas tij, ajo tashmë është vendosur në një shtet tjetër. Berisha deklaroi se në ditët në vijim do të dalin informacione të tjera që, sipas tij, do të konfirmojnë këto pretendime.

“Lubia edhe njëherë ju them se po transporton me skaf në Greqi, ka kryer 3 udhëtime dhe skafi plot. Gjerat më të çmuara që janë paratë që ajo ka. Është e sigurt kjo, sipas burimeve.

Po përgatit azili i saj. Ju siguroj që shumë shpejt do të merrni vesh që ajo është instaluar në një shtet tjetër. Këtu do jemi, përgatitjet po bëhen”, tha Sali Berisha.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme ashpërsoi akuzat ndaj ish zv. kryeministres Belinda Balluku. Përveçse e pandehur për shkelje në tendera, Balluku është regjistruar si person i dyshuar edhe për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Episodi i zbardhur nga SPAK lidhet me 2 tendera me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku drejtonte “Albcontrol”. SPAK thotë se tenderat iu dhanë në shkelje një kompanie ndërtimi, dhe Balluku mori ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim të djeshëm të GJKKO./ Zoom.al

Postime të lidhura