Aplikacion
Parlamenti Europian ka miratuar këtë të mërkurë një amendament të rëndësishëm në kuadër të raportit vjetor për Shqipërinë, duke i bërë thirrje autoriteteve shqiptare të ndalojnë përkohësisht procedurat e reja të ndërtimit dhe zhvillimit brenda zonave të mbrojtura natyrore.
Amendamenti 17, i cili u përfshi në rezolutën e miratuar nga eurodeputetët, shpreh shqetësim për situatën në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, duke argumentuar se ndryshimet e fundit ligjore mund të krijojnë rreziqe për ekosistemet me vlera të veçanta mjedisore.
Në tekstin e miratuar, Parlamenti Europian u kërkon institucioneve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për lejet e reja të ndërtimit, punimet dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, deri në rishikimin e dispozitave ligjore që konsiderohen jo në përputhje me standardet europiane për mbrojtjen e natyrës.
Eurodeputetët theksojnë gjithashtu se çdo projekt që parashikohet në këto zona duhet t’i nënshtrohet procedurave të plota të vlerësimit të ndikimit në mjedis, në përputhje me legjislacionin dhe praktikat e Bashkimit Europian. Po ashtu, kërkohet që procesi vendimmarrës të jetë transparent dhe të përfshijë komunitetet lokale, ekspertët e mjedisit dhe organizatat e shoqërisë civile.
Miratimi i amendamentit erdhi gjatë votimit të raportit për Shqipërinë, i cili mori mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve. Dokumenti vlerëson progresin e vendit në procesin e integrimit europian, ndërsa nënvizon nevojën për vijimin e reformave në fusha të ndryshme.
Pas votimit, kryeministri Edi Rama reagoi duke e cilësuar rezultatin si një vlerësim pozitiv për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Ai theksoi se zonat e mbrojtura dhe biodiversiteti do të ruhen, ndërsa projektet e zhvillimit do të ecin përpara vetëm mbi bazën e vlerësimeve mjedisore sipas standardeve europiane.
Nga ana tjetër, opozita e interpretoi amendamentin si një mbështetje për shqetësimet e ngritura nga qytetarët dhe organizatat mjedisore, duke kërkuar ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura dhe respektimin e rekomandimeve të institucioneve europiane./ Zoom.al