Aplikacion
Kompleksi “Square 21”, një nga projektet më të mëdha rezidenciale të Rrugës së Kavajës, i ngritur mbi lulishten më të madhe të kësaj zone nga shoqëria “ARLIS-NDËRTIM” sh.p.k, rezulton të ketë mangësi kritike në sistemin e mbrojtjes nga zjarri. Dokumentet ekskluzive të siguruara nga Zoom.al tregojnë një mospërputhje alarmante mes projekteve teknike të miratuara dhe realitetit fizik të godinave, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës së qindra banorëve.
Nga Zoom.al
“Sapo ra zjarri, fasada filloi të shkrinte si plastikë. Nuk e kishim menduar kurrë se një pallat i ri do digjej brenda 10 minutave si të ishte letër. Na u tha se ishte me standarde, por gjithçka doli mashtrim.”
Banorët e kompleksit të “ARLIS-NDëRTIM” te zona e njohur si “Farmacia 10” në Tiranë humbën gjithçka nga zjarri që përfshiu objektin pasditen e të martës, për shkak të mungesës së masave të sigurisë nga zjarri dhe përdorimit të materialeve të rrezikshme për fasadën.
Por fatkeqësinë e tyre rrezikon ta provojnë me qindra qytetarë të tjerë që banojnë në një tjetër kompleks të “Arlis” të biznesmenit kontrovers, Armand Lilo, i cili është vënë nën hetim.
Kompleksi “Square 21”, një nga projektet më të mëdha rezidenciale të Rrugës së Kavajës, i ngritur mbi lulishten më të madhe të kësaj zone nga shoqëria “ARLIS-NDËRTIM” sh.p.k, rezulton të ketë mangësi kritike në sistemin e mbrojtjes nga zjarri.
Edhe ai, nga fasada, duket një kompleks luksoz, me pishinë të brendshme, salla fitnes, restorante e zyra. çmimi për metër katror në këtë rezidencë kushton mbi 3 mijë euro. Secila prej këtyre familjeve kanë shpenzuar kursimet e jetës. Dikush ka paguar me para “cash” e shumë të tjerë janë zhytur në kredi.
Por ata nuk e dinë që pas fasadës luksoze fshihet një kurth, që mund t’u rrezikojë gjithçka, edhe jetën.
Dokumentet ekskluzive të siguruara nga Zoom,al tregojnë një mospërputhje alarmante mes projekteve teknike të miratuara dhe realitetit fizik të godinave, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës së qindra banorëve.
Sipas dokumentit me titull “SQUARE 21_MUNGESA E DYERVE KUNDRA ZJARRIT NE SHKALLET E EMERGJENCES”, i cili përmban një seri fotografish inspektimi në terren, rezulton se shkallët e emergjencës nuk janë të pajisura me dyer kundër zjarrit.


Për ekspertët e sigurisë së ndërtimeve, ky konsiderohet një gabim fatal. Shkallët e emergjencës janë projektuar të jenë zona të izoluara nga tymi dhe flakët për të mundësuar evakuimin. “Pa këto dyer teknike, në rast zjarri, shkallët kthehen në oxhaqe që thithin tymin, duke e bërë të pamundur daljen e banorëve dhe duke rrezikuar asfiksimin masiv”, – shpjegon një ekspert për Zoom.al.
Çfarë iu premtua banorëve dhe çfarë mungon nga siguria
Dokumentacioni teknik “SQUARE 21_MNZ-PLANET MBI TOKE DHE NENTOKE FAZA I-II” dhe “FAZA III” detajojnë një sistem kompleks mbrojtjeje që përfshin këto sisteme.
Këto kritere jo vetëm janë të domosdoshme për t’u zbatuar ligjërisht, por ato u janë paraqitur edhe banorëve për t’i joshur në blerjen e apartamenteve dhe njësive të biznesit me çmime të kripura.
Megjithatë, ndërsa projektet e hartuara nga inxhinierët parashikojnë çdo detaj, mungesa e elementeve bazë si dyert kundra zjarrit, të dokumentuara me foto, dëshmon se zbatimi i lejes së ndërtimit Nr. Prot. X-1504/6 ka devijuar nga kushtet teknike.
Dokumenti “Procedura Ligjore e Certifikimit nga zjarri” sqaron pasojat e rënda juridike. Sipas Nenit 50, pika 4 të Ligjit Nr. 152/2015 “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”:
“Inspektorët vendorë të shërbimit të MZSH-së bllokojnë çdo kategori e strukturë zhvillimore/ndërtimore kur ajo paraqet rrezik të shtuar për rënie zjarri e shpërthimi dhe kur nuk janë zbatuar detyrat e lëna… Gjithashtu, shkeljet mund të çojnë në gjobë nga 200,000 deri në 500,000 lekë ose në ndjekje penale në rastet e shkeljeve të rënda.”
Por ndonëse nuk i ka plotësuar kriteret, “ARLIS-NDëRTIM” ka mundur ta marrë hipotekën për pallatin. Kjo, sipas ekspertëve, është bërë tërësisht në shkelje të ligjit. Procedura për marrjen e Certifikatës së Pronësisë e ka të domosdoshëm kriterin e kushteve të mbrojtjes nga zjarri.
6. Marrja e Certifikatës së Pronësisë
• Pas kolaudimit, subjekti mund të aplikojë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) për Certifikatën e Pronësisë.
• Dokumentet e kërkuara për këtë proces përfshijnë:
a) Lejen e ndërtimit dhe projektin e miratuar.
b) Aktin e kolaudimit.
c) Certifikatën e mbrojtjes nga zjarri.
d) Deklaratën e përfundimit të punimeve.
e) Taksat dhe tarifat e regjistrimit.
Por pjesa më e rrezikshme vjen nga parkimet nëntokësore.
LEXO EDHE:
Parkimet nëntokësore, një minë me sahat
Planet e parkimit (Niveli -1 dhe -2) tregojnë një dendësi të lartë mjetesh, duke përfshirë edhe hapësira të menaxhuara nga institucione private, (sipas dokumentit që disponon Zoom.al me titullin “SQUARE 21_PARKIMET NIVELI -1”). Në këto nivele, ku rreziku i zjarrit nga mjetet motorike është më i lartë, moszbatimi i plotë i projektit të MNZ-së e kthen këtë hapësirë në një “bombë me sahat”.
Një banor i alarmuar nga mungesa e sigurisë pas pamjeve apokaliptike te komplesi i Farmacisë 10 tha për Zoom.al se banorët kanë bërë ankesa edhe pranë institucioneve, por nuk kanë marrë përgjigje.
“Leja ishte me dyer emergjence kundër zjarrit ne çdo kat, por këto dyer nuk janë vendoru në asnjë hyrje të kompleksit dhe asnjë Springler në nivelin -2 ne parkim, siç është në projektin e lejes së ndërtimit. Pavarësisht kësaj, shoqërisë ARLIS-NDëRTIM i është dhënë “Leja e shfrytëzimit dhe Kolaudimit nga Bashkia e Tiranës, pa përmbushur asnjë nga këto kushte.”


Dokumentacioni zyrtar vërteton se leja e ndërtimit për kompleksin “Square 21” (Nr. Prot. X-1504/6) mban firmën dhe miratimin e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, përmes Vendimit Nr. X-1504/4, datë 21.02.2017. Ky akt administrativ i ka hapur rrugën shoqërisë “ARLIS-NDËRTIM” sh.p.k për të zhvilluar një sipërfaqe masive trualli prej mbi 6,400 m², duke e kthyer zonën e ish-Uzinës Enver në një bllok gjigant banimi. Miratimi i kësaj lejeje nga Veliaj mbart me vete detyrimin ligjor që institucioni i Bashkisë të monitorojë nëse ndërtimi i kryer përputhet pikë për pikë me standardet e sigurisë të depozituara në projektin fillestar.
Ndonëse leja e miratuar nga Veliaj specifikon qartë afatet dhe treguesit e zhvillimit, mungesa e dyerve kundra zjarrit në shkallët e emergjencës, siç provohet nga fotot e inspektimit, tregon një dështim të hallkave të kontrollit pas miratimit të lejes. Çdo mospërputhje teknike e këtij niveli duhet të bëhej pengesë për dhënien e lejes së shfrytëzimit nga Bashkia Tiranë. Miratimi i projekteve luksoze me firmën e kryebashkiakut, ndërkohë që në terren mungojnë elementet bazë të mbrojtjes së jetës, ngre hije të forta dyshimi mbi integritetin e inspektimeve dhe mbi atë se sa peshon siguria e qytetarëve përballë interesave të zhvilluesve.

Hetime për të parandaluar tragjedinë
Përballë rrezikut se edhe në “Square 21” mund të përsëritet e njëjta situate si te “Farmacia 10”, autoritetet do të duhet të hetojnë se si ka mundur të pajiset me Certifikatën e Pronësisë ky objekt dhe do të duhet të marrin masa për të shmangur një tragjedi të mundshme.
Nisur edhe nga denoncimi i banorit të këtij kompleksi, prokuroria e Tiranës duhet të fillojë pa vonesë hetimet dhe duhet t’i shtrijë ato edhe në Bashkinë e Tiranës për të zbuluar se përse shoqërisë “ARLIS-NDëRTIM” i është dhënë leja e shfrytëzimit në shkelje të kushteve ligjore.
Banorët duhet të marrin përgjigje për disa pyetje sa nuk është tepër vonë, se si është lejuar avancimi i fazave të ndërtimit kur mungojnë elementet bazë të sigurisë, ka kryer MZSH Tiranë inspektime në terren dhe a janë lënë proces-verbale për mungesën e dyerve kundra zjarrit dhe përse investitori “ARLIS-NDËRTIM” sh.p.k ka kursyer në pajisje që lidhen drejtpërdrejt me jetën e njeriut, ndërkohë që kompleksi shitet si standard i lartë jetese?
Dokumentacioni i siguruar nga Zoom.al, bazuar në dokumente teknike, plane artitektonike dhe fotografi të bëra brenda kompleksit, është një alarm për autoritetet dhe thirrje për transparencë përpara se të ndodhë një tragjedi e paralajmëruar.
Përndryshe, dita kur do të shohim sërish banorë të tmerruar që u digjet pasuria, mund të mos jetë e vonë. /Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin