Aplikacion
Nga Zoom.al
Tragjedia e shmangur për një fije floku te “Farmacia 10”, ku pallati i “Arlis Ndërtim” u përfshi nga flakët brenda 10 minutave, po provon edhe njëherë fuqinë që ka oligarkia e ndërtimit në këtë vend. Ajo është mbi ligjin, mbi çdo institucion dhe mbi çdo rregull. Ndërsa flakët nxorën në pah materialet skandaloze dhe mungesën e masave antizjarr, ajo që mbetet më tronditëse është paraliza totale e inspektoriateve shtetërore.
Por pas asaj që ndodhi, asnjë institucion nuk ka guxuar të vendosë shiritin e bllokimit mbi aktivitetin e kompanisë së Armand Lilos.
Sipas Ligjit nr. 152/2015, Inspektorati i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) ka detyrimin ligjor të bllokojë çdo objekt që paraqet rrezik për jetën. Por deri tani MZSH Tiranë nuk ka kryer inspektim në pjesën e padjegur të kompleksit te “Farmacia 10”?
Një tjetër institucion që duhet të kishte vepruar është Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT). Ai ka për detyrë të garantojë që çdo material që përdoret në ndërtim të jetë konform standardeve të rezistencës.
Pamjet e fasadës që shkrihej si letër te pallati i djegur janë dëshmia ulëritëse e dështimit të këtij inspektoriati. Por pavarësisht se u vërtetua që materialet që kishte përdorur “Arlis Ndërtim” të “Farmacia 10” janë të rrezikshme, ISHTM nuk ka reaguar.
Sipas ligjit, ISHMT duhet të kishte pezulluar çdo kantier të “Arlis Ndërtim” deri në certifikimin e materialeve. Lejimi i përdorimit të këtyre fasadave plastike në mes të Tiranës tregon se ky inspektoriat funksionon si noter i oligarkisë dhe jo si mbrojtës i konsumatorit.
Dokumentet ekskluzive të Zoom.al [LEXO KËTU] vërtetojnë se edhe në kompleksin “Square 21”, shkallët e emergjencës nuk kanë dyer kundra zjarrit.

Duke mos ushtruar kontrollin që e detyron ligji, inspektorët e MZSH-së po garantojnë që Armand Lilo të vijojë shitjen e apartamenteve me 3 mijë euro metri katror, pa u shqetësuar për sigurinë e blerësve, në pallatet e reja që ai po ndërton pranë ish -Parkut të Autobusëve dhe në krah të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Arsyeja pse inspektoriatet nuk veprojnë mund të gjendet te qëndrimi i hapur i ryeministrit Rama. Ai nxitoi të nxjerrë konkluzionet e hetimit para prokurorisë. Duke deklaruar se “faji nuk ishte i kompanisë”, ai u dërgoi një mesazh të qartë inspektorëve që të mos e preknin Armand Lilon.
Ky ndërtues, me lidhje familjare me deputetin dhe ish -ministrin socialist Fatmir Xhafaj, nuk u prek as kur ndërtoi 6 kate pa leje te “Syri i Tiranës” mu në qendër të Tiranës, buzë sheshit Skëndërbej.
Kjo mbrojtje politike duket se po e bën “Arlis Ndërtim” të paprekshëm edhe përballë krimeve ekonomike. Edhe pse KLSH ka dokumentuar vjedhjen e një trualli shtetëror te Konviktet e Mjekësisë, sipas dokumenteve të publikuara nga Zoom.al, institucionet vazhdojnë të hezitojnë. Nuk është e kuptueshme se përse në këtë apati ka rënë edhe SPAK, ndonëse ai nuk është në vartësi të kryeministrit. [LEXO KËTU DOSJEN E TJETËRSIMIT TË TRUALLIT SHTETËROR]
Mosveprimi i koordinuar i MZSH-së, ISHMT-së dhe IMT-së nuk është rastësi. Kjo është ajo që shqiptarët shohin prej vitesh, me institucionet që janë vënë në shërbim të ndërtuesve, duke sakrifikuar jetën e qytetarëve.
Sot, çdo banor i “Square 21”, kompleksit te “Farmacia 10” apo i komplekseve të tjera të “Arlis” jeton mbi frikën se po flet mbi një bombë me sahat, vetëm sepse inspektoriatet e Edi Ramës refuzojnë të bëjnë detyrën e tyre, që të pezullojnë aktivitetin e një kompanie që po ndërton pa standarde mes të kryeqytetit.
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin