Aplikacion
Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka reaguar pas akuzave se deputetët e PD patën qëndrim të butë ndaj zjarrit që përfshiu pallatin e “Arlis Ndërtim” te “Farmacia 10” dhe as nuk shkuan pranë banorëve. Këto akuza u bënë në emisionin “Top Story” nga moderatorja e tij Grida Duma, çka shkaktoi një përplasje të fortë me drejtorin e Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, i cili u largua nga studio në shenjë revolte.
Tabaku ka postuar një video për të treguar se ka qenë në vendin e ngjarjes që ditën e parë.
“Meqë media është futur në një vorbull të pakuptimtë në kërkimin e fajit tek opozita, me pretendimin (të pahetuar siç duhet) se asnjë deputet i PD nuk ka qenë tek skena e krimit në pallatin e shkrumbuar, më duhet të reagoj për të shuar çdo të pavërtetë që merr dhenë më shpejt se e vërteta,” shprehet Tabaku.
Ajo bën me dije se ka qenë vetë në vendngjarje, duke kaluar orë të tëra me banorët dhe bizneset e zonës për të kuptuar nga afër situatën dhe nevojat e tyre, por ka zgjedhur të mos e publikojë menjëherë praninë e saj në terren, pasi ka preferuar të jetë pranë qytetarëve pa e përdorur situatën për qëllime politike.
“Ditën e djeshme, pasi flaka e madhe ishte shuar, por vatrat e vogla vijonin ende, kam qenë pikërisht në ambientet e atij kompleksi, duke biseduar për atë që kishte ndodhur në të vërtetë dhe për pasojat e rënda. Gjithë pasditen e kalova duke diskutuar me banorët, bizneset dhe pronarët, duke dëgjuar historitë e tyre dhe duke kuptuar ç’mund t’i ofroj atyre në ndihmë Në fakt, mendova të mos publikoj asgjë personalisht, sepse gjykova se kishte më shumë rëndësi të isha pranë atyre që kishin nevojë për një fjalë dhe për t’u dëgjuar,” – thekson deputetja.
LEXO EDHE:
Ajo nënvizon gjithashtu se ka ngritur shqetësimin edhe në Kuvend, duke theksuar se angazhimi i saj nuk përfundon me orarin zyrtar.
“Natyrisht që për mua parlamenti nuk mbaron në orën 14:00. Dhe pikërisht pas kësaj ore kam qenë në foltoren e Kuvendit duke ngritur shqetësimin për pallatin e djegur,” – shton Tabaku.
Në fund, ajo apelon për më shumë kujdes në shpërndarjen e informacionit, duke theksuar se në epokën e lajmit të shpejtë, qytetarët rrezikojnë të keqinformohen. /Zoom.al
Ky reagim vjen pas përplasjes së fortë në studio mes Grida Dumës dhe Alfred Lelës, ku diskutimi për mungesën e deputetëve pranë banorëve u shoqërua me tone të ashpra dhe përfundoi me largimin e Lelës nga emisioni.
Grida Duma i ka kërkuar llogari Lelës se pse deputetët demokratë nuk kanë shkuar pranë banorëve, por ky i fundit e ka marrë si fyerje drejtimin e gishtit nga moderatorja dhe i është përgjigjur duke i thënë:
”Atë gishtin mos ma drejto mua, se nuk jam nxënësi yt dhe as rrogëtari yt. Atë gishtin këpute, ose fute ku të duash”, – i tha Lela gjithë nervozizëm.
Kjo qasje e agravoi situatën.
”Ti e di shumë mirë se s’ka vend. Ta drejtoj gishtin 100 herë, të nxjerr dhe jashtë sa herë të dua, për mungesë etike”, -iu përgjigj moderatorja e acaruar.
Pas kësaj Lela u largua nga studio, ndërsa moderatoja Duma e shoqëroi largimin e tij duke i thënë: “Të ikësh Lela, të ikësh që ç’ke me atë punë dhe e fut ti pastaj gishtin. Hajt, ik, dil!”
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin