zoom

Aktualitet

Zjarri në pallatin “Arlis Construction”, kreu i MSZH: S’kishte as sistem alarmi! Problem edhe urbanistika, mungonte aksesi në të dy anët e objektit

Zjarri në pallatin “Arlis Construction”, kreu i MSZH: S’kishte as sistem alarmi! Problem edhe urbanistika, mungonte aksesi në të dy anët e objektit

Pallati i ndërtuar nga kompania Arlis Construction, pranë Spitali Universitar “Nënë Tereza”, u përfshi nga flakët të martën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke lënë të asfiksuar disa qytetarë e efektivë zjarrfikës.

Drejtori i Përgjithshëm i MSZH, Arben Cara, vuri në fokus rrezikun nga fasadat e ventiliuara duke theksuar se ushqehen me oksigjen dhe favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve në gjithë strukturën e ndërtesës.

I ftuar në “Top Story”, Cara u shpreh se pikërisht ky element ka ndikuar në intensitetin e zjarrit, megjithëse ndërhyrja e zjarrfikësve arriti të shmangë viktimat.

“Fasadat e ventiluara janë shumë të rrezikshme sepse ushqehen me oksigjen. Zjarri përhapet me shpejtësi të madhe. Megjithatë, ndërhyrja u menaxhua mirë dhe nuk pati viktima,” u shpreh ai.

Cara ngriti gjithashtu shqetësimin për problematikat urbanistike në Tiranë, duke theksuar se shumë pallate nuk janë të aksesueshme nga të dyja anët për mjetet zjarrfikëse, çka e vështirëson ndërhyrjen në situata emergjente.

Sipas tij, një tjetër problem mbetet mungesa e sistemeve të alarmit në disa ndërtesa, përfshirë edhe këtë pallat, ndërsa shtoi se nevojiten inspektime të detajuara për të verifikuar kushtet e sigurisë.

“Problemi kryesor këtu lind që me legalizimet ka shumë objekte që nuk kanë leje ndërtimi, sepse kanë prekur standardet e rrugës, që nuk lejon ndërhyrjen e zjarrfikësve. Ky është një problem urbanistik. Këto problematika adresohen. Pallati në Tiranë nuk dispononte sistem alarmi. Sistem alarmi kanë disa pallatet e larta, ato të rejat. Duhet të bëhet një inspektim për rastin e këtij pallati. Sistemi hidrik në këtë pallat ka ekzistuar”, u shpreh Cara.

Postime të lidhura