zoom

Aktualitet

Rama mbron “Arlis”: Zjarri në pallat nuk kishte lidhje me ndërtimin

Rama mbron “Arlis”: Zjarri në pallat nuk kishte lidhje me ndërtimin

Kryeministri Edi Rama deklaroi se zjarri që përfshiu pallatin e ndërtuar nga “Arlis shpk” ishte një ngjarje aksidentale dhe nuk ka lidhje me cilësinë e ndërtimit.

Gjatë podkastit të tij “Flasim”, ai theksoi se banorët e prekur do të mbështeten nga institucionet deri në rikthimin e tyre në banesa.

Sipas tij, ndërtesa do të rindërtohet plotësisht nga vetë kompania ndërtuese, ndërsa qeveria dhe bashkia do të ofrojnë ndihmë financiare, përfshirë bonus qiraje për familjet e dëmtuara.

Rama u shpreh gjithashtu se zjarri dyshohet të ketë nisur nga një shkëndijë e rastësishme dhe jo nga probleme strukturore të godinës. Ai shtoi se, sipas verifikimeve paraprake, materialet e përdorura në ndërtim kanë qenë të certifikuara dhe të importuara.

“U vumë menjëherë në lëvizje dhe gjëja me e rëndësishme është që do rindërtohet nga e para nga ndërtuesi i saj, dhe angazhimi për të ndihmuar deri në momentin kur ata do të kthehen në shtëpi të mund të kenë një bonus qiraje dhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar dëmet e pariparueshme në apartamentet e tyre. Tani, gjithmonë në këto raste, shfaqen menjëherë, si kërpudhat pas shiut, lloj-lloj gjithologësh dhe lloj-lloj ekspertësh publikë, por pa licencat dhe pa njohuritë e nevojshme për të marrë një rol të tillë. Po gjithsesi, edhe për shkak të emocioneve, edhe për shkak të nevojës për të marrë protagonizëm, kush nuk del e çfarë nuk thotë. E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri, po të doni, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin, por, nga ana tjetër, kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar ashtu siç duhet edhe çka lidhet me cilësinë dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse, nga verifikimi i parë që është bërë, ndërtimi kishte të gjitha materialet të certifikuara dhe vinin nga importi, kështu që nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë.

Më e rëndësishmja është që askush prej atyre banorëve që patën atë moment dramatik që falë forcave të rendit nuk u kthye në tragjedi nuk do të lihet vetëm”, tha Rama.

Por ndryshe nga Rama, ekspertët gjatë këtyre ditëve kanë theksuar se përdorimi i materialeve lehtësisht të djegshme në ndërtimin e godinave të larta dhe mosplotësimi i standardeve antizjarr kishte përgjegjës në të gjithë zinxhirin, pavarësisht shkakut të zjarrit.

Sipas tyre, në shumicën e godinave të reja, përfshirë edhe kompleksin e dëmtuar, përdoret gjerësisht polistireni dhe poliuretani si mbushës izolues, të kombinuara shpesh me panele kompozite për veshjen e jashtme. Këto materiale preferohen masivisht nga ndërtuesit sepse janë ekonomike, të lehta për t’u montuar dhe ofrojnë një efikasitet të lartë termik, duke ndihmuar në përmbushjen e kritereve ligjore për kursimin e energjisë.

Megjithatë, përmbajtja e lartë e derivateve plastike bën që në kontakt me flakën, këto materiale jo vetëm që digjen me shpejtësi ekstreme, por edhe shkrijnë duke lëshuar gaze toksike dhe duke vepruar si një lëndë djegëse direkte për ndërtesën./ Zoom.al

Postime të lidhura