Aplikacion
Deputeti Erion Braçe kërkoi sqarime nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi për cilësinë e materialeve të ndërtimit, duke marrë si pikënisje zjarrin te kompleksi “Arlis” përballë QSUT.
Braçe tha se në pallatin në fjalë, nuk është përmbushur asnjë zotim ndaj banorëve për të rikthyer disi normalitetin. Deputeti pyeti konkretisht se kur do të jetë e mundur të përmbushen të gjitha rregullat për të ndërtuar godina të sigurta.
“Isha dy ditë më parë në atë kompleks, në nisje të një peticioni ndaj kryetarëve të shtetit. E çmoj praninë e zv/kryeministres pranë tyre. Në objekt as pastrimi nuk është bërë dhe kjo është krejt tjetër. Asgjë ka ndodhur në funksion të këtij angazhimi konkret, përmbushja e të cilit kthen në të përditshmen normale ata njerëz. Ndërtuesit po ndërtojnë për të shitur një fjetinë të bukur nga jashtë e brenda, po ndërtojnë për të shitur një fjetinë të sigurt pas tërmetit 2019. Në mendjen e ndërtuesve, siguria nuk shihet e për pasojë nuk shitet. Sa kohë do të na duhet për të ndërtuar një objekt të sigurt nga zjarri? Shkurt e qartë, për të bërë gjumë të sigurt të godinave që blihen shtrenjtë?”, tha Braçe.
Karakaçi tha se ligji mbulon thuajse plotësisht këtë sektor, ndërsa pranoi se ka nevojë për përmirësim ndaj është hartuar edhe një projektligj. Sipas tij, projektlgji synon krijimin e një sistemi modern dhe të unifikuar për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës së produkteve të ndërtimit në përputhje me standardet e Bashkimit Europian si dhe ngritjen e strukturave përgjegjëse për certifikimin, vlerësimin teknik dhe mbikëqyrjen e tregut.
“Projektligji synon krijimin e një sistemi modern për produktet e ndërtimit. Projektligji është depozituar edhe në konsultim publik. Akti i dytë ligjor që ka si qëllim të rregullojë këtë fushë lidhet me disiplinimin e punimeve në ndërtim. Ligji kërkon që ndërtimet të plotësojnë standardet për rezistencë, qëndrueshmëri, mbrojtje nga zhurmat. Ndërtimet duhet të plotësojnë standardet, materialet e prodhuara në Shqipëri duhet të certifikohen nga një laborator në vend. Ka nevojë të domosdoshme për forcimin e legjislacionit dhe rritjes së mekanizmave të kontrollit”, tha Karakaçi.
Në nisje të përgjigjes, Braçe tha se “askush nuk flet për problemet konkrete”. Ai renditi hendeqet e ndërtimit të kompleksit “Arlis” që nga mungesa e certifikatës së përdorimit, e deri te materialet e përdorura, të cilat janë të djegshme.
Ajo që më shqetëson është që në këtë qytet po ndërtohet pafund ndërkohë që koha e atyre standardeve po zgjatet dhe kalon ritmin e kontrollit të zbatimit të legjislacionit në territor. Ndërtimi i kompanisë ‘Arlis’ është pa certifikatë përdorimi, detyrim ligjor ky. Pse nuk është lëshuar një certifikatë e tillë? Me gjasë, projekti nuk është zbatuar sipas lejes së ndërtimit. I jam drejtuar 5 javë të shkuara kadastrës për informacion lidhur me këtë kompleks dhe nuk e kam marrë. Mungesa e certifikatës së përdorimit tregon procesin e legalizimit. Është përdorur alumin me bërthamë të brendshme me bazë polietileni, tërësisht i djegshëm. Këto montohen në një pjesë të veshur me lesh guri, me një hapësirë ajri midis tyre që ka bërë rolin e oxhakut duke përhapur zjarrin. Montimi është bërë pa asnjë brez çeliku kat më kat. Është po evidente, kemi të bëjmë me dy godina të ndara në vendin ku ra zjarri, pa asnjë hapësirë. Është zgjedhur një klasë e mesme materialesh që digjen dhe përhapin zjarrin”, tha Braçe.
Ministri Karakaçi u përgjigj duke shprehur gatishmërinë për konsultime lidhur me hartimin e masave të mëtejshme për kuadrin ligjor. Gjithashtu mbështeti fjalët e deputetit se nëse do të jetë nevoja, do të ulet për diskutime për përmirësimin e legjislacionit.
“Së pari, ajo çfarë unë iu referova gjatë fjalës sime lidhet me gjithë kuadrin ligjor rregullator për materialin e ndërtimit, normat e zbatimit ku ministria që përfaqësoj është hartuese dhe rregullatore. Gjatë zbatimit të procedurave ligjore, ka shumë institucione që kanë detyrim të zbatojnë ligjin. Do të isha i gatshëm të vazhdoja diskutimin me ju që nëse kemi hapësirë për të bërë rregullime të tjera që na shmangin situata të tilla, do të isha i gatshëm të ulesha dhe të hartojmë masat. Pas zjarrit, nën drejtimin tim dhe gjithë strukturat nën varësinë e ministrisë, kanë shkuar derë më derë për të parë nëse ishte e mundur që të bëhej rilidhja e energjisë dhe ujit. Unë s’kam kompleks që të pranoj se nëse ndërtuesi apo kolaudatori kanë shkelur ligjin, duhet të dënohen dhe të merren masat përkatëse. Është evidente që shumë shpesh ka ndodhur që ndërtimi është shtrirë përtej lejes dhe për këtë qëllim është miratuar akti normativ që referon që për ndërtesat e reja nuk bëhet lidhja e energjisë dhe shërbimit të ujit nëse njësia s’ka marrë aktin e kolaudimit”, tha Karakaçi.
Në përmbyllje të interpelancës, Braçe propozoi ndryshimet për të forcuar kontrollin dhe lejimin e ndërtimit të objekteve nëse nuk plotësojnë paraprakisht një sërë dokumentesh.
“Dua t’ju propozoj që të shtohet shprehimisht se asnjë objekt shumëkatësh, me rrezikshmëri të konsiderueshme nuk legalizohet dhe certifikohet pa certifikatë të mbrojtjes nga zjarri, pa akt kolaudimi dhe certifikatën e përdorimit. Bllokadë dixhitale ndërinstitucionale që ASHK të mos regjistrojë një objekt të ri apo të legalizuar shumëkatësh pa u ngarkuar elektronikisht akti i institucioneve të mbrojtjes nga zjarri dhe certifikata e përdorimit. Në fund, audit i pavarur i sigurisë nga zjarri si kusht i certifikatës së përdorimit”, përmbylli deputeti.
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës