zoom

Aktualitet

Zjarri te pallati i “Arlis”/ Ekspertiza: Flakët nisën nga faktorë të jashtëm

Zjarri te pallati i “Arlis”/ Ekspertiza: Flakët nisën nga faktorë të jashtëm

Ekspertiza zyrtare e shërbimit zjarrfikës ka dalë në përfundimin se zjarri që përpiu brenda pak minutash pallatin e ndërtuar nga “Arlis” te Farmackia 10 në Tiranë është shkaktuar nga faktorë të jashtëm dhe jo nga brenda godinës.

Sipas raportit të dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, është përjashtuar mundësia që zjarri të ketë nisur nga ndonjë defekt elektrik në ndërtesë.

Hetuesit theksojnë se provat tregojnë për një burim të jashtëm ndezjeje, i cili ka çuar në përhapjen e shpejtë të flakëve që shkrumbuan rreth 30 apartamente.

Në kuadër të hetimeve, organi i akuzës ka marrë në pyetje disa të mitur që janë identifikuar nga kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes, ku shihen duke hedhur një karton pranë mbetjeve të një marketi në oborrin e pallatit. Zjarri ka shpërthyer pak momente më pas, duke ngritur dyshime mbi rolin e tyre në ngjarje.

Megjithatë, në prani të prindërve dhe psikologëve, fëmijët kanë mohuar të kenë ndezur apo shkaktuar zjarrin, duke deklaruar se ndodheshin aty vetëm duke luajtur. Edhe pamjet e kamerave të sigurisë nuk kanë dokumentuar një moment të qartë ndezjeje të qëllimshme.

Për këtë çështje janë proceduar katër persona, përfshirë inxhinierin e kompanisë ndërtuese, kontraktorin e fasadës, menaxheren e marketit dhe administratorin e pallatit. Ata fillimisht u arrestuan, por gjykata ka vendosur ndaj tyre masën “detyrim paraqitje”./ Zoom.al

Postime të lidhura