zoom

Aktualitet

EKSKLUZIVE/ Si u zhdukën mijëra m2 truall te konviktet e Mjekësisë për t’u bërë pallate për “Arlis Ndërtim” (DOKUMENTET)

EKSKLUZIVE/ Si u zhdukën mijëra m2 truall te konviktet e Mjekësisë për t’u bërë pallate për “Arlis Ndërtim” (DOKUMENTET)

Zoom.al publikon për herë të parë dokumentet ekskluzive të një prej skemave më flagrante të tjetërsimit të pronës publike në Tiranë. Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se si asetet e Rezidencës Studentore Universitare Nr. 2, (RSU 2), e njohur ndryshe si Konviktet e Mjekësisë, u vunë në shërbim të kompanisë “Arlis Ndërtim” me pronar Armand Lilon, përmes një zinxhiri shkeljesh ligjore ku janë përfshirë zyrtarët më të lartë të Bashkisë Tiranë dhe drejtuesi të Rezidencës Studentore, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej qindra mijëra eurosh dhe duke i marrë mijëra metra tokë truall për ndërtuar rezidencën që u përfshi nga flakët të martën. 

Nga Zoom.al

Ndërkohë që flakët po përpinin kompleksin e tij në Rrugën e Dibrës, një sërë dokumentash zyrtare, të mbërtitur në redaksinë e Zoom.al po zbulonin faqje pas faqje një skemë se si “Arlis Ndërtim” e Armand Lilos kishte tjetërsuar tokën publike për të ndërtuar palltin e ferrit.  

Në sërë dokumentesh të një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të periudhës 2017 – 2019, bërthejnë mekanizmin se si u përpinë 2,546 m² truall shtetëror për të zgjeruar gjurmën e ndërtimit të komplesit privat të Armand Lilos. 

Përmes procedurash në shkelje të ligjit, njohjesh dhe ndërhyrjesh të ndryshme, ai arriti ta fusë në dorë edhe tokën shtetërore ku ngrihej Kaldaja e godinave të studentëve, që i nevojitej për planin e tij. Toka ishte në pronësi të Rezidencës Studentore Universitare Nr.2 në Tiranë, një shoqeri aksionere 100% në pronësi të Bashkisës së Tiranës. Zoom.al ka në dispozicion dokumentat që vërtetojnë skandalin. 

Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ilir Hilaj dhe Erion Muho, gjetën se vjedhja ka nisur me manipulimin e sipërfaqeve. Trualli ku ndodhej ish-kaldaja e Konvikteve të Mjekësisë, i cili në dokumente rezultonte rreth 1765 m², u reduktua në mënyrë fiktive në 100 m² dhe më pas në 138 m². Ky zvogëlim në letër u bë për të lehtësuar kalimin e pronës drejt privatit, duke fshehur vlerën reale të tokës dhe të dëmit ekonomik që po i shkaktohej shtetit, që sipas KLSH-së kap shifra marramendëse.

Parregullsitë janë të rënda. Sipas dokumenteve të siguruara nga Zoom.al rezulton se janë zhdukur ose nuk justifikohen mbi 2.5 mijë metra katrorë tokë, me një dëm financiar prej rreth 740 mijë dollarësh (74 milionë lekë të reja), sipas çmimi të përllogaritur në atë kohë.

Auditi ka krahasuar planet e vitit 2014 me ato të vitit 2018. Rezulton se nga 16,015 m2 që duhet të ishin në pronësi të “RSU Nr.2”, sipërfaqja zbriti në 13,469 m2. Diferenca, 2,546 metër katrorë, nuk jusftifikohet në asnjë dokument. Gjithçka ndodhi pas hyrjes në lojë të kompanisë “Arlis Ndërtim”. Dhe kjo sipërfaqje me vlerë marramendëse avulloi nga regjistrat shtetërore për t’u bërë pjesë e sheshit të ndërtimit të pallateve të Armand Lilos. Dëmi, sipas KLSH, përllogaritet të jetë 74,092,234 lekësh. Shuma përfaqëson vlerën e truallit që iu hoq studentëve dhe iu la në dispozicion ndërtuesit për të rritur koeficientin e shfrytëzimit të territorit.

 “Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve nr. 2 SHA që më vonë u quajt “Rezidenca Studentore Universitare” ka pasur troje dhe objekte në administrim, të cilat nuk përputhen me sipërfaqet e mëvonshme pas marrjes së lejes së ndërtimit nga “Arlis Ndërtim”. Konkretisht, tek Godinat e Inxhinierisë së Ndërtimit, janë marrë Certifikatat Hipotekare për 9,444 m2 truall, dhe pjesët ndërtimore përkatëse. Godina nr. 1 Mjekësi me numër pasurie 7/272 ka qenë në proces gjyqësor për një sipërfaqe truall prej 2,336 m2, e cila krijon mbivendosje. Godina nr. 2 Mjekësi me numër pasurie 10/48, ka rezultuar me mbivendosje në zërin truall, nga 2,425 m2 të reflektuara në sistemin elektronik të të dhënave, IPS të Kadastrës, në 883 m2 të kërkuara për hipotekim. Kaldaja e Godinës nr. 2 Mjekësi, me numër pasurie 10/212, ka rezultuar me mospërputhje mes planeve rilevuese të vitit 2014 dhe ato të paraqitura nga RSU nr. 2 të ZVRPP Tiranë në vitin 2018, në sipërfaqen truall nga 161 m2 kërkuar në datën 14.04.2014 me shkresën prot. nr. 990, në 110 m2 të kërkuar në vitin 2018 nga shoqëria “ARLIS NDËRTIM SHPK” si barrë hipotekare ndaj kësaj pasurie. Nuk ka informacion të saktë për truallin në Godinën nr. 3 mjekësi me numër pasurie 10/45, dhe Godinën nr. 4 mjekësi me numër pasurie 10/13, por RSU nr. 2 pretendon në ZVRPP Tiranë 413 m2 truall për pronën 10/45 dhe 283.6 m2 truall për pronën 10/13. Shuma e sipërfaqeve të truallit të përllogaritura nga kërkesat, ndaj ZVRPP Tiranë, përfshirë Certifikatat e lëshuara dhe çështjet në proces gjyqësor shkon në 13,469 m2, nga 16,015 m2 të paraqitura në General-planet e vitit 2014. Diferenca prej 2,546 m2 nuk justifikohet se ku ndodhet nga RSU nr. 2 SHA. Vlera e përllogaritur sipas VKM nr. 89, datë 03.02.2016, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, ku për Tiranën, Zona Kadastrale 8120, në zonën nr. 2, vlera është 29,106 lekë/m². Në total Vlera prej 74,092,234 lekë përbën efekt negativ financiar për buxhetin e shoqërisë.

Në dokumentin e bashkëngjitur më poshtë, thuhet se Leja e Ndërtimit e lëshuar nga Bashkia Tiranë për “Arlis Ndërtim” shfaq një gjurmë të pronës truall që përfshin sipërfaqe të cilat i përkasin shtetit (RSU 2). Agjencia Kombëtare e Kadastrës i kishte klasifikuar këto sipërfaqe si pronë të RSU 2 që në vitin 2014, por në lejen e ndërtimit, ato i janë njohur privatit si pjesë e sheshit të ndërtimit. Në këtë mënyrë, prona publike u tjetërsua përmes akteve administrative dhe iu dha “Arlis Ndërtim” të Armand Lilos për pallat. 

Rasti më flagrant është ai i Kaldajës së Godinës nr. 2. Shteti hyri në Pazar me ndërtuesin privat Armand Lilo. 

Fillimisht sipërfaqja e truallit të Kaldajës pësoi tkurrje nga nga 161 m2 në 2014, në 110 m2 në vitin 2018. Kjo ishte sipërfaqja e kërkuar nga shoqëria “ARLIS NDËRTIM SHPK” si barrë hipotekore. Në këtë mënyrë, një pjesë e pronës shtetërore u tjetërsua ose u vu si kolateral për interesa private.

Veç truallit, “Arlis Ndërtim” iu dha edhe ndërtesa e Kaldajës. 

Marrëveshja mes Rezidencës Studentore Universitare Nr.2 (RSU 2) dhe “Arlis Ndërtim” për t’i dhënë truallin prej 110 m2 dhe një ndërtesë prej 84 metrash katrorë, që ishte ndërtesa e Kaldajës, u lidh më datën 10.01.2018.

Në këmbim, RSU 2 do të merrte një ambient për mensë prej vetëm 70 m2, e cila do të ishte në katin e tretë të pallatit privat të “Arlis Ndërtim”. KLSH hedh dyshime se gjithçka ka qenë fiktive dhe këmbimi ka shërbyer si alibi për të tjetërsuar truallin poshtë pallatit. Gjithçka u bë me një marrëveshje noteriale të thjeshtë, pranë noteres Fatmire Koleci. 

·  Çfarë dha shteti: 110 m2 truall dhe një ndërtesë 84 m2.

·  Çfarë mori shteti: Një ambient për mensë vetëm 70 m2.

Zyrtarët në shërbim të ndërtuesit (EMRAT)

Dokumentet e siguruara nga Zoom.al identifikojë me emra personat që hodhën firmat në këtë skemë të tjetërsimit të tokës shtetërore, pa pasur asnjë kompetencë ligjore. 


Përgjegjësi kryesor dyshohet të jetë Erion Veliaj, si anëtar i Asamblesë së Aksionerëve te Konviktet e Mjekësisë. Ai njihet për lidhje të forta me Armand Lilon. 

Si pronar i 100% të aksioneve të “RSU 2” përmes Bashkisë Tiranë, Veliaj mbart përgjegjësinë kryesore për miratimin e kuadrit rregullator që lejoi Këshillin Mbikëqyrës të vepronte jashtë ligjit.

Emri i dytë është Dhurata Shamia Frashëri, kryetare e Kryetare e Këshillit Mbikëqyrës. Dokumenti citon se me Vendimin nr. 88, datë 17.11.2018, Shamia (e cila mban edhe postin e Drejtores hës së Protokollit Shtetëror) ka tejkaluar kompetencat duke i dhënë pronën publike Armand Lilos, ndërkohë që ligji kërkonte një vendim ekskluziv të Këshillit Bashkiak.

Zhanina Dapi, administratore e RSU 2 në atë kohë, është emri i tretë në listë. Ajo, sipas KLSH, ka përgjegjësi për mosregjistrimin e saktë të aseteve dhe nënshkrimin e praktikave që çuan në tkurrjen e pronës së studentëve.

Ditjon Baboçi, Ish-Drejtor i Urbanistikës, figuron po ashtu në këtë dosje. Ai ka firmosur lejen e ndërtimit për kompleksin e pallateve të “Arlis Ndërtim” mbi një truall që ligjërisht ishte ende pronë publike e patjetërsuar me procedurë të rregullt.

Edhe ish -administratori Viron Bezhani është pjesë e dosjes. 

Shteti, si agjenci imobiliare në shërbim të Armand Lilos

Dokumentet vërtetojnë se “RSU 2” u soll si një agjenci imobiliare në shërbim të “Arlis Ndërtim”, duke i pastruar kësaj kompanie pengesat, si kaldaja, që ndodheshin brenda gjurmës ku kompania donte të ngrinte kompleksin e saj.

Sipas KLSH, ligji nuk ua lejon shoqërive SHA (si RSU Nr. 2) të negociojnë apo të dhurojnë asetet e tyre në këtë mënyrë.Auditi konstaton se Vendimi nr. 88 (datë 17.11.2018) i Këshillit Mbikqyrës, që miratoi këtë dhënie prone te privati, është bërë në mospërputhje totale me ligjin. 

“Nuk ka një legjislacion për këtë marrëveshje, që lejon ndërmarrjet SHA të negociojnë dhënien e aseteve, ndërsa gjithë procedura është në kundërshtim me Ligjin nr. 139/2015, neni 9/1/2/c dhe nenin 54/f” – thotë KLSH.  

 Kontrolli i KSH tregon se të gjitha lëvizjet, nga zyra e Kryetarit të Bashkisë, te Drejtoria e Konviktit dhe te Urbanistika, kanë pasur një qëllim të vetëm: tjetërsimin e pasurisë së studentëve në pasuri private për llogari të Armand Lilos.

Zoom.al do të vijojë të publikojë dokumente të tjera, në të cilat detajohen shkeljet financiare dhe zhdukja e servituteve që i kanë lënë godinat e studentëve të Mjekësisë dhe Inxhinierisë pa hapësirë të aksesueshme, pasi janë të rrethuara nga muret e pallateve të “Arlis Ndërtim” të Armand Lilos. 

Dokumentet e publikuara sot nga Zoom.al janë prova të një krimi ekonomik të kryer në mes të Tiranës. Me një dëm të llogaritur prej qindra miliona eurosh, sipas vlerës së tregut, kjo dosje hetim të thelluar të SPAK, pasi ajo bën fjalë për një grup të organizuar zyrtarësh dhe privatësh, që bënë gjithçka që Armand Lilos t’i jepej në kundështim me ligjin një tokë e shtetit për të ndërtuar pallate dhe për të shtuar pasurinë e tij. 

© Zoom.al. Ripublikimi i këtij artikulli bëhet vetëm duke cituar burimin.

Postime të lidhura