Aplikacion
TIRANË – Një zjarr masiv përfshiu këtë pasdite një tjetër pallat të ndërtuar nga kompania “Arlis Construction” në Tiranë, duke vënë në rrezik jetën e dhjetëra familjeve.
Ngjarja, e ndodhur në zonën e njohur si “Farmacia 10”, pranë qendrës spitalore QSUNT, ka vënë në alarm autoritetet dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e sigurisë së kësaj kompanie.

Në foto: Pallati i përfshirë sot nga flakët
Operacion në tokë dhe ajër
Situata paraqitet kritike, duke kërkuar një mobilizim të jashtëzakonshëm të forcave të rendit dhe emergjencave civile. Sipas të dhënave të fundit nga terreni 7 persona po trajtohen aktualisht në QSUT si pasojë e asfiksisë nga tymi. Në vendngjarje ndodhen 4 autoambulanca për ndihmë të shpejtë.
Për herë të parë në një zjarr urban të kësaj natyre, janë angazhuar 2 helikopterë Cougar të forcave të armatosura për të kontrolluar flakët nga lart.

8 mjete zjarrfikëse dhe 6 mjete të emergjencave po operojnë pa ndërprerje, ndërsa mbi 50 efektivë të ushtrisë dhe policisë janë angazhuar në perimetrin e sigurisë.
Hija e të kaluarës: “Square 21”
Ky nuk është incidenti i parë i rëndë që përfshin ndërtimet e “Arlis Construction”. Opinioni publik kujton ende zjarrin e vitit 2022 te kompleksi “Square 21” në zonën e 21 Dhjetorit.

Në foto: Square 21
Përsëritja e të njëjtit skenar – zjarre masive në godina relativisht të reja – ngre dyshime mbi cilësinë e materialeve të përdorura, veçanërisht sistemet e veshjes kapot (fasadës) dhe izolimit termik.
Duke parë pamjet trondidëse banorët e Tiranës po pyesin se sa të sigurta janë këto pallate?
“Nuk mund të jetë rastësi që godinat e të njëjtës kompani të përfshihen nga flakët me këtë intensitet,” shprehen për Zoom.al qytetarë të shqetësuar në zonën e QSUNT.
Ndërsa hetimet për shkakun e zjarrit te “Farmacia 10” sapo kanë nisur, ekspertët e sigurisë dhe inxhinierisë duhet të sqarojnë nëse janë respektuar normat e mbrojtjes kundër zjarrit, a janë përdorur materiale të djegshme në fasada, a funksionojnë sistemet e njoftimit dhe fikjes së zjarrit brenda godinave?
Nga të dhënat e para mësohet se në fasadë janë përdorur materiale plastike të rrezikshme, pasi digjen lehtësisht.
Deri më tani, institucionet dhe vetë kompania nuk kanë nxjerrë një deklaratë zyrtare mbi sigurinë teknike të këtyre objekteve. Ndërkohë që operacioni për shuarjen e plotë vijon, ky incident mbetet një këmbanë e fortë alarmi për Bashkinë e Tiranës dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të audituar me urgjencë standardet e sigurisë në komplekset e mëdha rezidenciale të Arlis Constuction.
Kjo kompani, në pronësi të shtetasit Armand Lilo po ndërton edhe kullën Syri i Tiranës në Sheshin Skënderbej dhe disa komplekse në zonë e Tiranës së Re dhe prane Federatës Shqiptare të Futbollit. /Zoom.al

Në foto: Syri i Tiranës
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin