zoom

Aktualitet

Kompania “Arlis Construction” përdori materiale të paligjshme në fasadën e pallatit që u dogj

Kompania “Arlis Construction” përdori materiale të paligjshme në fasadën e pallatit që u dogj

Inxhinieri i ndërtimit Erald Kërluku ka dhënë shpjegime mbi shkaqet e zjarrit të rënë në pallatin “Arlis Construction” në Tiranë të martën (14 prill) ku dyshohet se janë shkrumbuar rreth 30 apartamente.

Sipas tij, faktori kryesor lidhet me materialet e përdorura në fasadë, konkretisht materiali termoizolues, i cili rezulton shumë i ndjeshëm ndaj zjarrit. Kjo ka bërë që flakët të përhapen me shpejtësi në të gjithë pjesën e jashtme të ndërtesës.

Kërluku thekson se në rastet e fasadave të ventiluara, krijimi i hapësirave të ajrit mes shtresave mund të rrisë ndjeshëm rrezikun, nëse materiali nuk është i padjegshëm. Sipas tij, prania e një “xhepi ajri” krijon presion dhe favorizon përhapjen e flakëve në të gjithë sipërfaqen e jashtme të godinës.

“Ky është një rast i përsëritur në të njëjtin objekt. Ky produkt që përdoret për izolimin e fasadës, teknikët flasin për fasadë të ventiluar, e cila kërkon të krijosh hapësira ajrimi midis parateve të murit.

Duke pasur parasysh që aty është një xhep ajri që krijon presion shumë të lartë, materiali që është në kontakt me këtë rrymë ajri duhet të jetë në mënyrë absolute i padjegshëm.

Produkti që është përdorur në këtë rast është produkt i papërshtatshëm për këtë qëllim. Ky produkt nuk është i duhur për fasadat. Në Tiranë ky është përdorur edhe në ndërtesa të tjera.

Kjo nuk ka lidhje me koston, ka lidhje me mosrespektimin e protokolleve dhe kushteve të ndërtimit të një fasade të tillë.

Problematika kryesore është materiali termoizolues dhe kontakti i drejtpërdrejtë i ajrit me zjarrin, që ka një ndjeshmëri të madhe ndaj flakëve”, u shpreh Kërluku në Euronews.

Postime të lidhura