zoom

Aktualitet

SKANDAL/ Rama bëhet mburojë e Armand Lilos së “Arlis Ndërtim”! Asnjë fjalë për përgjegjësinë penale për pallatin e djegur

SKANDAL/ Rama bëhet mburojë e Armand Lilos së “Arlis Ndërtim”! Asnjë fjalë për përgjegjësinë penale për pallatin e djegur

Në një reagim në platformën X, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të marrë rolin e avokatit të ndërtuesit Armand Lilo dhe kompanisë së tij “Arlis Ndërtim”, pas zjarrit apokaliptik që përfshiu dje një pallat të ndërtuar nga kjo kompani në Tiranë.

Në këtë reagim Rama jo vetëm që nxitoi të nxirrte të pafajshëm ndërtuesin për shkaqet e zjarrit, por e trajton tragjedinë që rrezikoi qindra jetë si një çështje thjesht financiare.

Në vend që t’i kërkonte Prokurorisë hetimin e menjëhershëm për cilësinë e ndërtimit, për materialet e përdorura në fasadë, që sipas ekspertëve janë të palejueshme ligjërisht, dhe për mungesën e plotë të masave antizjarr që e kthyen pallatin në ferr, Rama deklaroi se “Pallati do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi” dhe se “shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin!”

Duke marrë rolin e ekspertit dhe të prokurorit apo gjykatësit, Rama i tha sot drejtësisë që të mos merret me Armand Lilon, një ndërtues kontrovers me lidhje familjare me deputetin Fatmir Xhafaj dhe me kryetarin në burg të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Deri tani asnjë instancë shtetërore nuk ka dalë në konkluzione për shkakun e zjarrit, çka nxjerr bllof kryeministrin që në postimin e tij e thotë hapur se ai e di që shkaku nuk është cilësia e ndërtimit.

LEXO EDHE:

Lexo edhe:

Vidh, por edhe paguaj, si po përsëritet skema e “Syrit të Tiranës”

Rama i dha sot sërish imunitet Armand Lilos, njësoj si te “Syri i Tiranës” ku i legalizoi 6 kate pa leje, duke treguar se si bashkëqeveris me oligarkët e betonit.

Te kulla “Syri i Tiranës”, Armand Lilo ndërtoi 6 kate pa leje. Por në vend që të shkonte para drejtësisë, Rama ndërhyri duke e amnistuar Lilon dhe oligarkët e tjerë, duke u ofruar mundësinë e legalizimit kundrejt parave. Për shumë më pak, për një avlli apo një shtesë ballkoni, qindra qytetarë kanë parë dyert e burgut.

Armand Lilo pagoi rreth 400 euro për metë katror në një objekt ku ai po shet me 5 mijë euro metër katrorin. Biznesi vazhdon sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Edhe sot, mesazhi i Ramës është i njëjtë: paguaj dëmet dhe vazhdo biznesin si më parë. Nuk ka asnjë fjalë për ndjekje penale për rrezikimin e jetës së banorëve apo për shkeljen e standardeve të sigurisë në ndërtim.

Ndërsa qytetarët janë ende nën shokun e humbjes së gjithçkaje që kishin, Rama shfrytëzoi gjithashtu rastin për të bërë përgjegjës banorët që nuk i kanë siguruar shtëpitë dhe për t’u bërë reklamë kompanive të sigurimit, duke e quajtur këtë një “rast kuptimplotë” për nevojën e sigurimit të shtëpive.

Është skandaloze që në një shtet ligjor, qytetari të mbetet në mëshirën e “vullnetit të mirë” të një ndërtuesi që e ka futur në një godinë të pasigurt, ndërsa qeveria lan duart nga përgjegjësia e kontrollit të territorit dhe zbatimit të ligjit.

Është e qartë se Edi Rama e ka lidhur jetën e tij politike me interesat e biznesmëve si Armand Lilo, por nuk kuptohet se me ç’interesa e kanë lidhur detyrën e tyre dhjetëra prokurorë të Tiranës dhe të SPAK-ut. /Zoom.al

Postime të lidhura