zoom

Aktualitet

VIDEO/ Zjarr i frikshëm në Tiranë, digjet pallati i “Arlis Construction”. Rrezikohen edhe godinat e tjera

VIDEO/ Zjarr i frikshëm në Tiranë, digjet pallati i “Arlis Construction”.  Rrezikohen edhe godinat e tjera

Një zjarr i madh ka shpërthyer në një ndërtesë banimi në Tiranë, në zonën pranë Spitalit “Nënë Tereza”, duke shkaktuar panik dhe rrezik për përhapje të flakëve në objektet përreth.

Sipas informacioneve të para, zjarri ka përfshirë një pallat dhe flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar edhe një ndërtesë tjetër ngjitur.

Banorët e zonës janë alarmuar dhe janë përpjekur të largohen nga ndërtesa për të shmangur rrezikun.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe disa ekipe zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit në kompleksin e banimit.

Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, por janë shënuar dëme materiale. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet që autoritetet të nisin hetimet pas shuarjes së plotë të flakëve.

Pallati i përfshirë nga flakët është i firmës së ndërtimit “Arlis Construction”, në pronësi të Armand Lilos.

Pronari i “Arlis Construction”, Armand Lilo, është kushëriri i bashkëshortes së ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe po ashtu, njihej si njeri i afërt i Erion Veliajt në kohën kur ky i fundit ishte i lirë.

Kjo firmë është përmendur shpesh për shkeljet e saj të ligjit dhe në shumë raste opozita i ka bërë thirrje SPAK që ta hetojë.

Në vitin 2019 ajo u akuzua se prishi një lulishte për të ndërtuar një pallat shumëkatësh, në zonën e 21 Dhjetorit. Projekti i pagëzuar si “Square 21” ngjalli protesta të banorëve të zonës.

Edhe pas projektit të “Eye of Tirana” qëndron “Arlis Construction”, një projekt që është denoncuar për shtesë katesh pa leje, nga 26 kate në 40 të tilla.

“Arlis Construction” është kallëzuar nga Belind Këlliçi për ndërtimin tek ish-Policia Bashkiake, pranë zonës së “21 Dhjetorit”, në Tiranë./ Zoom.al

Postime të lidhura